Banorët e lagjes “Kalabria”, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës, për të kundërshtuar shfuqizimin e planit rregullues për këtë lagje, raporton Ekonomia Online.
Ata thonë se me shfuqizimin e këtij plani, gjysma e lagjes “Kalabria” mbetet e bllokuar total.
Ata thonë se në vitin 2021 është miratuar plani rregullues për lagjen, dhe është aprovuar në Asamble, e cila më pastaj ka shkuar në Ministri të Planifikimit
“Shfuqizimi i planit Rregullues për “Kalabrinë” e pamundëson mbulimin e lumit dhe pamundëson punimin e rrugës A. Kryetar mos e blloko “Kalabria”, ishin disa nga thirrjet e tyre në pankarta.
Besim Krasniqi tha se shfuqizimi i këtij plani do të jetë i dëmshëm për banorët e kësaj lagje.
Ai tha se tri protesta deri më tani i kanë mbajtur dhe se do ta kundërshtojnë edhe më tej shfuqizimin e këtij plani.
“Kjo protestë është duke u mbajtur për të mos e shfuqizuar planin i cili është miratuar në kuvendin komunal me 10 nëntor dhe ai plan ka hyrë ne gazetë zyrtare komunale mbas 15 ditë. Sot kërkojmë nga asambleja të mos bëjë shkelje sepse s kanë të drejtë me shfuqizu atë plan. Nëse shfuqizohet ai plan do të sjellë shumë probleme sepse njerëzit kanë lidhë shumë kontrata dhe kanë detyrime”, tha Krasniqi.
Gani Kqiku banor i lagjes është shprehur se ky plan nuk pengon asgjë.
“Unë e di që kryetari nuk mundet me ba çka donë vet por e di që në punën e vet secili duhet me qenë pronar i saj. Ky plan u fuqizua kur të gjithë deputetë (Asamblistë) të partive e kanë aprovu. Nëse këta janë të poshtër apo dallavergji duhet me i dërgu në prokurori apo me i shti në burg. Jo veç ata por edhe kryetarin e kaluar qe boll i keq u kanë, asgjë nuk ka punuar por në fund u pajtuam bashkë që krejt lagjja me pas një koeficient dhe kemi qenë të kënaqur me atë”, tha ai.