Shkolla fillore “Asllan Thaçi”, që ndodhet në mes të fshatit Karaçevë e Poshtme, nuk do të hapet për afro 100 nxënësit e këtij fshati të hënën. Dryni i kyçur në derën e objektit të kësaj shkolle do të vazhdojë të qëndrojë edhe pas 14 shtatorit, datë e caktuar nga Ministria e Arsimit për fillimin e mësimit.
Shkolla nuk do të hapet, sepse Komuna e Kamenicës ka vendosur që nxënësit e saj të vijojnë mësimin në fshatin Karaçevë e Epërme, si shkak i riorganizmit në sistemin e arsimit, transmeton koha.
Pesë fëmijë nga ky fshat, mesditën e së premtes ishin mbledhur për të luajtur në oborrin e shkollës, ku për disa vjet mësuan. Ata vazhdimisht përsëritnin që nuk duan të vijojnë mësimin në një shkollë tjetër. Njëri nga ta tha se për 5 vjet ka mësuar në objektin e kësaj shkolle, dhe se nuk dëshiron të vazhdojë diku tjetër.
“Në klasë të 5 jam unë dhe nuk kam dëshirë që shkolla të mbyllet”, ka thënë L.K. nxënës i kësaj shkolle. Në anën tjetër, Shukri Fejza, i cili ka 3 nipër e mbesa në këtë shkollë, tregon se vite më parë të gjithë banorët ishin mbledhur dhe kishin investuar në të. Vendimin për mbylljen e shkollës ai e konsideron të padrejtë. “Unë djalin s’e çoj diku tjetër kur qe shkollën ku e kam, dy metra larg. Pse me çu diku tjetër, ky i vogël është”, ka thënë ai.
Banorët e kësaj pjese, e cila është në zonën kufitare me Serbinë, ia kanë nisur një letër ministrit të Arsimit, derisa kanë paralajmëruar edhe protestë për të hënën.
Selver Lenjani, përfaqësues i Karaçevës, ka thënë se janë të vendosur që kjo shkollë të mos mbyllet.