Gjykata ia cakton një muaj arrest shtëpiak të dyshuarit për organizim të lojërave të fatit në Karaçevë

Prishtinë | 08 Shk 2022 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, Gëzim Hidës, i cili dyshohet se deri më 6 shkurt të këtij viti, organizoi bixhoz të paligjshëm në fshatin Karaçevë e Poshtme të Komunës së Kamenicës.

Kjo masë është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Prokurorja gjatë leximit të kërkesës për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Hida, ka thënë se konsideron që janë përmbushur arsyet për caktimin e kësaj mase.

“Nga shkresat e lëndës dhe provat e ofruara, shihet se ka bazë se i njëjti nëse lihet në liri rrezikohet të sigurohet prezenca e tij në procedurë penale”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë kërkesën e prokurorisë dhe të dyshuarit Hida t’i caktohet masa e paraburgimit.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit e ka kundërshtuar në tërësi këtë kërkesë të prokurorisë, sipas tij nga fakti se këtë vepër i mbrojturi i tij e ka pranuar paraprakisht para organeve të hetuesisë.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një masë tjetër më e butë alternative, duke u bazuar në nenin 173 paragrafi 1 të KPPRK-së, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 shkurt 2022, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Gëzim Hida, me arsyetimin se nga koha e papërcaktuar deri më 6 shkurt 2022, në hyrje të fshatit Karaçevë e Poshtme të Kamenicës, në lokalin me material të fortë që gjendet në rrugën “Novosellë – Karaçevë e Poshtme”, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër, ka organizuar lojëra bixhozi dhe lojëra fati, lojëra në kundërshtim me ligjin për parandalimin e lojërave të fatit Nr.06/L-155.

Me këtë, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 paragrafi 2, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme