Banorët e fshatit Zllakuçan të Klinës tash e dy javë janë pa energji elektrike. Ata janë ankuar dhe kanë kërkuar sqarim nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS), mirëpo janë shpërfillur.
Ata ankohen se gjërat ushqimore janë duke ju dëmtuar pa furnizim me energji ndërsa shumë biznese në këtë fshat janë detyruar që shumë produkte t’i hedhin në kosh të plehrave pasi që mungesa e energjisë elektrike ia kanë dëmtuar, shkruan Insajderi.
Në shenjë revolte ata kanë vendosur që sot të protestojnë dhe të bllokojnë magjistralen Klinë – Istog, derisa KEDS të bëjë një zgjedhje për ta.
Organizatori i kësaj proteste, Valmir Lleshaj, ka thënë për se rryma është ndërprerë qe dy javë dhe KEDS nuk ka marr asnjë veprim që ta rregulloj.
“Kemi lajmëruar KEDS mirëpo ata na kanë thënë se janë duke rregulluar disa prishje, mirëpo prishja e tyre zgjati qe dy javë, kemi bërë ankesë me shkrim dhe tash jemi duke e dërguar në KEDS”, ka thënë Lleshaj.
Lleshaj po ashtu thotë se “banorët dhe bizneset janë dëmtuar shumë nga kjo mungesë e energjisë, shumë produkte ata u dasht me i gjuajt në bërllok”.
Insajderi ka provuar të kontaktojë me KEDS-in mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ana e tyre se pse ka ndodhur kjo ndërprerje e rrymës.
Ndërsa, Policia e Kosovës e cila është dashur të intervenojë për ta zhbllokuar rrugën thotë qytetarët e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dhe protesta ka përfunduar e qetë.
“Në ora 11:50 kemi pranuar një informacion se disa shqiptarë të pakënaqur me mungesën e rrymës kanë dalë dhe e kanë bllokuar rrugën Klinë – Zllakuçan. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Diku rreth 30 qytetarë kanë qenë i kanë shfaq pakënaqësitë e tyre në lidhje me ndalesat e rrymës dhe në ora 12:30 janë shpërndarë të qetë. Nuk ka pasur asnjë incident”, ka thënë Driton Rugova zëdhënës për rajonin e Policisë në Pejë.
Banorët kanë paralajmëruar se do t’ia mësyjnë zyrave të KEDS-it që të bisedojnë me menaxhmentin e kësaj kompanie, e cila para disa vitesh është blerë nga turqi, për një çmim që është vlerësuar tejet i lirë nga njohës të ekonomisë.