Policia e Kosovës kërkon nga protestuesit që të shpërndahen të qetë, në të kundërtën Policia është e obliguar ta shpërndajë masën që e ka bllokuar hyrjen në fshatin Mushtisht të Suharekës, në përpjekje të parandalimit të pjesëmarrjes së pjesëtarëve të komunitetit serb, të zhvendosur, në një festë lokale fetare.
Kështu ka thënë komandanti i Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, duke shtuar se aktualisht situata është e qetë.
Policia e Kosovës është përplasur të dielën me një grup protestuesish shqiptarë në fshatin Mushtisht të Suharekës, që kanë bllokuar hyrjen në përpjekje të parandalimit të pjesëmarrjes së pjesëtarëve të komunitetit serb, të zhvendosur, në një festë lokale fetare.
Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për shkak “të pengesës në kryerjen e detyrës zyrtare”, arrestoi një numër protestuesish.
“Të paktën 13 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë protestës së sotme në Mushtisht. Një zyrtar i policisë është lënduar në përpjekje të forcave të rendit për të vendosur situatën nën kontroll”, tha Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës.
Serbët lokalë, që janë zhvendosur nga fshati Mushtisht që prej përfundimit të luftës, kanë paralajmëruar kthimin në fshat, më 28 gusht, me qëllim të pjesëmarrjes në një festë lokale ortodokse dhe kanë kërkuar njëkohësisht edhe krijimin e kushteve për kthim të qëndrueshëm në, sic thonë, “shtëpitë e tyre”.
Disa ditë para kremtimit të fetsës në hyrje të fshatit u vendos një pankartë, të autorëve tash për tash anonim, me përshkrimin “Kjo është çka kanë lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal“.
Pankarta e vendosur tregonte fotografitë e shtëpive të djegura të fshatit gjatë luftës në Kosovë.
Vendosja e pankartës shkaktoi një valë reagimesh të udhëheqësve politikë serbë, përfshirë edhe Ministrinë për komunitete dhe kthim. Reagimeve iu bashkua edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e Listës Srpska, Branimir Stojanoviq, që e dënoi “vendosjen e pankartës” dhe theksoi “përkushtimin për kthimin e serbëve në fshat”.