Banori në Tiranë sheh “live” skenën e grabitjes, lajmëron policinë

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Një 25 vjeçar është arrestuar në flagrancë teksa po tentonte të vidhte në dy automjete, falë njoftimit të bërë nga banorët dhe reagimit në kohë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 që patrullonte në territor.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. Ll., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Shtetasi Xh. Ll. u kap dhe u arrestua në flagrancë në bulevardin “Bajram Curri” në tentativë për të vjedhur në dy automjete të parkuara pranë një pallati.

Në momentin që kishte thyer xhamat trekëndësh të dy automjeteve një banor ka njoftuar Policinë. Falë reagimit të shpejtë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2 që patrullonte në territor, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.

Nga hetimet paraprake rezultoi se ky shtetas ka vjedhur në pesë automjete të ndryshme, në një kompleks pallatesh në Tiranë, duke përvetësuar sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, po ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes në dy lokale, njëri në rrugën “Dritan Hoxha” dhe tjetri në rrugën “Lavdie Petrela”, Tiranë, territor që mbulohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, Tiranë.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë, në ngarkim të shtetasit Xh. Ll.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme