Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit tashmë bie mbi subjektin fitues dhe Kuvendin.
Sipas tij, vendimi i Kushtetueses, i cili i jep afat kohor partisë fituese për të siguruar zgjedhjen e presidentit, e bën të domosdoshëm një koordinim të plotë politik brenda Kuvendit.
“I mbetët fituesit të zgjedhjeve dhe Kuvendit, por edhe opozita dhe pozita duhet të jenë në Kuvend, ta bëjnë kuorumin dhe paraprakisht të merren vesh për kandidatin konsensual”, ka deklaruar Baraliu.
Ai ka theksuar se, pas konsumimit të 60 nënshkrimeve nga Lëvizja Vetëvendosje, tani i takon Partia Demokratike e Kosovës që të propozojë një kandidat të vetëm, të pranueshëm për palën fituese, në mënyrë që procesi të zhbllokohet.
“Meqë LVV i ka konsumuar 60 nënshkrimet, duhet që PDK ta japë një kandidat, jo si më parë dy, që është i pranueshëm për fituesin dhe atëherë të organizohet seanca e vazhdimit të seancës. Mendoj se për pak minuta mund të gjendet zgjidhja”, ka shtuar ai për FrontOnline .
Baraliu vlerëson se nuk ka alternativa të tjera për dalje nga situata aktuale, duke theksuar se vendimi i Kushtetueses është i qartë dhe duhet të zbatohet nga të gjithë akterët politikë.
“S’ka zgjidhje tjetër dhe Gjykata Kushtetuese e ka treguar këtë. Duhet të zbatohet kjo. Pra, Gjykata Kushtetuese i obligon deputetët të jenë në sallë. Kushti i parë është që ata të shkojnë në seancë, sepse pa shkuarje në seancë nuk ka kuorum”, ka përfunduar ai.