Lista Serbe mund të mos jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës, por jo edhe e Qeverisë.
Kështu së paku thuhet në Kushtetutën e Kosovës, e cila ia garanton këtij komuniteti të marrë udhëheqjen e një dikasteri qeveritar në rast të një qeverie me 12 ministri.
Njohësi i rrethanave politike Mazllum Baraliu ka thënë se formimi i Qeverisë së re pa Listën Serbe është i mundur.
Baraliu është shprehur se qeveria e ardhshme e ka për detyrë të konsultohet me Listën Serbe për përfaqësimin e tyre me ministër në ekzekutiv, por jodomosdoshmërish ta marrë atë në koalicion.
“Lista Serbe duhet të konsultohet nga Qeveria, por nuk do të thotë se në çdo rast të merret në koalicion. Nëse LS-ja nuk merret vesh me Qeverinë pas konsultimit dhe e refuzon përfaqësimin e një ministrie të caktuar, atëherë ajo i mohon vetes një të drejtë të cilën ia garanton Kushtetuta dhe për një gjë të tillë askush nuk mund të fajësohet, kësisoj mund të formohet Qeveria”, ka deklaruar Baraliu, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Nëse Qeveria do t’i ketë 12 ministri sipas Kushtetutës, Listës Serbe do t’i takojë vetëm një ministër. “Në Qeveri do të jetë së paku një ministër nga komuniteti serb dhe një ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”, thuhet në paragrafin e tretë të Nenit 96, të Kushtetutës së Kosovës.