Baraliu: VV dhe LDK duhet të arrijnë marrëveshje, ndryshe do të dihet kush është fajtor për zgjedhjet e reja

Prishtinë | 05 Gus 2026 | 14:53 | Nga Drita Dërmaku

Analisti politik Mazllum Baraliu vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e bllokadës politike dhe formimin e institucioneve, duke paralajmëruar se në të kundërtën përgjegjësia për zgjedhjet e reja do të bjerë mbi të dyja partitë.

Duke komentuar takimin e zhvilluar ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Baraliu për Ekonomia Online tha se, pavarësisht mungesës së marrëveshjes, dy partitë nuk kanë alternativë tjetër përveç arritjes së një kompromisi.

“Mendoj që në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Republikës është që këto dy parti, meqë kanë të vetmen alternativë se partitë e tjera parlamentare kanë refuzuar takimet me fituesin e zgjedhjeve, në këtë rast kryeministrin në detyrë dhe partinë e tij dhe koalicionin e tij  është që të arrijnë një marrëveshje domosdo. Pra një marrëveshje, çoftë gjithëpërfshirëse për presidentin dhe për bashkëqeverisje, çoftë vetëm për presidentin, do të duhej të arrihej”, deklaroi Baraliu.

Sipas tij, përshtypjet pas takimit nuk japin garanci se palët janë plotësisht të vendosura për ta zgjidhur krizën politike.

“Nga ajo që kemi parë nga takimi i djeshëm, përshtypjet e para janë që nuk ka qartësi të mjaftueshme nga të dy palët. Përkundër faktit që kanë shprehur gatishmëri që të vazhdojnë, të merren vesh, të mos shkohet në zgjedhje, megjithatë ndërkohë janë disa shprehje aty dhe togfjalësh të cilët nuk na bëjnë të sigurt që e kanë seriozisht këto dy parti. Por duhet ta kuptojnë që është momenti i fundit dhe alternativa e vetme, siç e thashë më parë, është që ta bëjnë një marrëveshje dhe të mos lejojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të tjera të radhës, të vazhdojë kriza për t’u thelluar dhe të vazhdojnë grindjet e partive, polarizimi i popullit dhe pasojat për vendin. Pasojat janë jashtëzakonisht negative në aspektin e humbjes së reputacionit, prestigjit, të imazhit të këtij vendi dhe humbjes së miliona eurove që janë të parapara me Planin e Rritjes dhe nga grantet e Bashkimit Evropian”, theksoi ai për Ekonomia Online.

Baraliu shtoi se koha për marrëveshje po shteron dhe se përgjegjësia tashmë bie mbi dy subjektet politike.

“Është momenti i fundit. Tri orë kanë qenë në takim dhe për tri orë, nuk kanë ofruar, asgjë faktikisht, ndërkohë që këtu mund të arrihet një marrëveshje për dy orë, madje më pak se tri. Marrëveshja duhet të jetë e tillë që ta kemi presidentin, ta kemi parlamentin dhe ta kemi qeverinë. Pra, do të duhej t’i kemi institucionet dhe këtyre dy partive u ka rënë barra. Në qoftë se nuk pranojnë ose bëjnë lojëra politike, do të dalin në shesh kësaj radhe. Nuk do të mund të fshihet as subjekti fitues i zgjedhjeve për t’ia lënë fajin opozitës dhe as partia tjetër opozitare, në këtë rast LDK-ja, t’ia lërë fajin fituesit të zgjedhjeve. Do të dalë në shesh se kush është fajtor për arsyen që po shkojmë në zgjedhje të reja, ndërkohë që votuesi i ka ndëshkuar këto parti të gjitha me radhë në zgjedhjet e fundit dhe u ka dhënë mësim e leksion dhe ka kërkuar që, duke abstenuar në masë të madhe, të gjeni rrugëzgjidhje, të bëni një marrëveshje, të jeni bashkë për interesat e shtetit dhe t’i formoni institucionet”, shtoi Baraliu.

Të ngjashme