Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se janë bërë hapa të rëndësishëm në çështjen e barazisë gjinore në aspektin e ligjeve, por sipas tij janë duke ngecur në implementimin e tyre.
Kreu i Qeverisë i bëri komentet gjatë takimit të nivelit të lartë rreth procesit të integrimit evropian dhe barazisë gjinore. Ai ka theksuar se pa gratë dhe vajzat nuk mund të ecet përpara në asgjë, jo vetëm nga fakti që gjysmën e kryeministri Mustafa tha se barazia gjinore nuk është çështje që i përket vetëm integrimit dhe agjendës evropiane, por është e ndërlidhur ngushtë me agjendën e brendshme kosovare.
“Dëshirojmë që të ndërtojmë një shtet i cili ka vlera të demokracisë së brendshme, ka vlera të barazisë gjinore dhe vlera të barazisë nacionale dhe në të cilin, të gjithë qytetarët do të ndjehen të barabartë pa marrë parasysh dallimet gjinore, etnike ose dallimet sociale”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, theksoi domosdoshmërinë e krijimit të kushteve të barabarta të kyçjes së të gjithë qytetarëve në proceset zhvillimore, në proceset e arsimit, proceset e kulturës, në barazinë e punësimit dhe barazinë sociale.
“Ne konsiderojmë se pa gratë dhe vajzat ne s’mund të bëjmë asgjë në këtë aspekt. Jo vetëm nga fakti se gjysmën e popullsisë sonë e përbëjnë gratë, përkatësisht gjinia femërore, por edhe nga fakti se të gjitha studimet tregojnë se në vendet ku ka angazhim më të madh të gruas në proceset ekonomike dhe në proceset zhvillimore, ato vende janë më të zhvilluara, janë më kohezive, më inkluzive dhe kanë arritur që t’i zgjidhin problemet shumë më shpejt se sa në vendet tjera ku kemi ndryshime më të mëdha gjinore në pikëpamje të pjesëmarrjes në zhvillimin ekonomik dhe zhvillime tjera”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa më tutje foli për proceset integruese evropiane dhe mundësitë që hapin këto procese për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare.
“Tani, ne jemi në fazën e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, që është një marrëveshje shumë e rëndësishme për ne, është një marrëveshje që hap perspektivën tonë kontraktuale me vendet e Bashkimit Evropian, që nënkupton se do të kemi qasje më të madhe në tregun e Bashkimit Evropian, një treg prej mbi 500 milionë banorësh. Do të kemi obligime, por edhe shanse më të mëdha të bashkëpunimit regjional me vendet në regjion, me vendet fqinje dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Do të kemi po ashtu shanse më të mira në lëvizjen e lirë në vendet e BE-së përmes rekomandimit që është dhënë nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, dhe natyrisht përmes detyrimit tonë që të përmbushim edhe detyrimet e fundit që na janë paraqitur si kushte për liberalizimin e vizave që duhet ta bëjmë. Por, në të gjitha këto procese pa marrë parasysh se nuk dallojnë në aspektin gjinor, në rolin e burrave dhe grave, ato paraqesin shanse shumë të mëdha të integrimit të të dy gjinive, sidomos të grave në pikëpamje ekonomike, në pikëpamje sociale, në pikëpamje arsimore, në pikëpamje kulturore, në pikëpamje shëndetësore. Mendoj se këto janë shanse të cilat ne domosdoshmërisht duhet t’i shfrytëzojmë edhe në Kosovë”, tha kryeministri.
Mustafa foli po ashtu për hapat e bërë sa i përket harmonizimit të legjislacionit me atë evropian në pikëpamje të barazisë gjinore.
“Tani nuk vuajmë nga ajo se ne nuk kemi ligje dhe se këto ligje nuk janë në harmoni me standardet evropiane dhe standardet botërore, por ngecim në pikëpamje të implementimit të mjaftueshëm të tyre, të cilat pastaj do të krijojnë kushte më të mira të një pjesëmarrje më të madhe të gruas dhe vajzave në këto procese. Kemi bërë një hap po ashtu edhe sa i përket udhëzimit administrativ për të lehtësuar regjistrimin e pronës në emër të të dy bashkëshortëve, por edhe në emër të vajzave. Jemi të interesuar që të arrijmë përparime më të mëdha sa i përket pronës, sepse prona është baza themelore e zhvillimit ekonomik por edhe një bazë themelore e realizimit të të drejtave të çdo qytetari dhe të çdo qytetareje tonë. Unë mbetem i përkushtuar si kryeministër që sugjerimet, propozimet, vërejtjet tuaja t’i implementojmë. Mbetem i përkushtuar po ashtu edhe që të krijojmë hapësirë më të madhe të domosdoshme të prezencës më të madhe të gruas dhe të vajzave në organet e Republikës së Kosovës, në të gjitha institucionet”.
Duke folur për përfaqësimin në institucione, kreu i Qeverisë theksoi se duhet të rritet pjesëmarrja e gruas në Qeveri edhe në institucione tjera qeveritare.
“Kemi nevojë që edhe në krye të institucioneve tjera të kemi një pjesëmarrje më të madhe të grave, se pastaj ajo rritet në proporcione gjeometrike, për arsye se vetë gratë pastaj krijojnë kushte që të përfshijnë gratë tjera në këto procese, dhe nuk do të jemi ne pastaj, meshkujt ata që do të merreshim me këto çështje, por këtë rol do ta marrin gratë. Unë mendoj se duhet të vijmë në një situatë që gratë të marrin iniciativa, ato të hapin perspektiven, dhe ne detyrimisht, ashtu siç na detyron Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet, të ecim në këto procese të cilat janë shumë të rëndësishme për ne”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke theksuar nevojën që bashkërisht të arrihen rezultate në krijimin e kushteve për barazi të plotë gjinore në të gjitha proceset e zhvillimit ekonomik, zhvillimit social, dhe zhvillimit demokratik të vendit.
Çollaku kërkon përfshirje më të madhe të femrave në institucione
Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, ka vlerësuar rolin e gruas në shoqëri, por ka shprehur dëshirën që pjesëmarrja të mos jetë vetëm nëpër tryeza, por të aplikohet nëpër institucione dhe fusha tjera.
“Në praktikë nuk është e përkthyer baza ligjore që është për barazinë gjinore në kushtetutë dhe ligje.
Një aplikim i tillë është i nevojshëm për zhvillimin tonë dhe afrinë tonë me Bashkimin Evropian”.
“Prezenca e femrave në institucione, sidomos në ministrinë e Integrimeve ka treguar se femrat janë shumë të zonja dhe kompetente për punët që i kryejnë, madje më të përgjegjshme se meshkujt,” ka thënë Çollaku.
Ai ka shtuar se do të donte të shihet më shumë femra në kabinetin qeveritar.
“Ende na mbetet shumë që të transformohemi në të gjitha aspektet. Në aspektin ekonomik, politik por edhe shoqëror”.
“Do të doja kështu siç jeni në numër sot, do të doja të ju shikoja në të gjitha institucionet, pse jo edhe në kabinetin qeveritar, për Parlament as që diskutohet”.
Demolli: Pa barazi gjinore, demokracia nuk quhet e realizuar
Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se barazia mes gjinive është e domosdoshme për realizimin e demokracisë së plotë.
“Barazia gjinore në Kosovë është kauzë me rëndësi fundamentale. Barazia e individëve është thelb i demokraicsë dhe pa arritjen e saj nuk mund ta konsiderojmë demokracinë tonë të realizuar”.
Sipas Demollit, “barazia gjinore është pjesë shumë e rëndësishme e rrugës europiane të Kosovës”.
Ajo ka kërkuar që të ketë përfshirje të vazhdueshme të kësaj çështjeje në mekanizmat e integrimit europian, duke bërë një krahasim mes procesit integrues të Kosovës në BE dhe integrimit gjinor.
“Ndikimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, për sa i përket kësaj çështjeje, nuk ka qenë i mjaftueshëm. Ka pasur harmonizim formal të legjislacionit, mirëpo me ngecje shumë të mëdha në aplikimin konkret dhe përmirësimin e mekanizmave të zbatimit në realitetin e përditshmërisë”.
“Natyra e procesit të integrimit në BE është shumë e ngjashme me strukturën e integrimit gjinor. Ndaj këto dy procese takohen dhe duhet të trajtohen si të tilla”.