Barbra Streisand e ka bartur urrejtjen e saj për udhëheqësin e SHBA-së, Donald Trump, në studion muzikore.
Diva e ka përfshirë një këngë proteste, Don’t Lie To Me, në albumin e saj të ardhshëm, Walls, të cilin ajo paralajmëroi se do të publikohet më 2 nëntor.
“M’u desh ta shkruaja këtë këngë”, tregon Barbra për Billboard. “Këto kohë më dhanë energji… Është një dritë dhe shpresë që vjen për të ardhmen. Duhet të rritemi si komb. Është protesta ime në një fare mënyre për këtë kohë të paparë në historinë tonë. Ajo që thotë për Amerikën”, përcjell Koha Ditore.
Streisand e ndjeu nevojën t’i shprehte ndjenjat e saj për presidentin Trump, të cilin ajo e quan “Gënjeshtari suprem” dhe “Perversi suprem” në studio dhe të këndonte për të pasi që i shkroi disa pjesë të ashpra për liderin kontrovers në internet.
“Kam shkruar shumë artikuj për këtë… person…, i cili nuk ka mirësjellje, i fyen të gjithë, bën shaka me njerëzit me aftësi të kufizuara”, shton ajo. “Nuk e di çfarë të them (tjetër). I kam shkruar rreth 15 artikuj për Huffington Post”.
“Walls” do të jetë albumi i parë i Barbras nga materiali i ri që nga viti 2005.