Ronaldinho mund të përballet me skenarin më të keq të mundshëm në betejën e tij për t’u liruar nga burgu. Dëshmitari kryesor nuk ka dhënë dëshminë e tij, ndërsa klubi i Barcelonës është distancuar, ka shkruar The Sun të enjten, duke u thirrur në raporte të ndryshme.
Fituesi i Kupës së Botës në futboll me Brazilin, Ronaldino, është arrestuar dy javë më parë për hyrje në Paraguai me pasaportë të rrejshme.
Atij i është thënë se mund të përballet me burg deri në gjashtë muaj, nëse shpallet fajtor për përdorim të dokumenteve të rrejshme.
Ish-magjistari i futbollit është prapa grilave së bashku me vëllain e tij, Roberto de Asis. Gjykimi ndaj tyre po vazhdon.
Shpresat e tyre për lirim të shpejtë morën goditje të madhe kur afaristja Dalia Lopez nuk u paraqit në gjykatë. Është thënë se ajo ka organizuar vizitën e tyre në Paraguai.
Dëshmia e afaristes vlerësohet kyçe, por në ditën kur ajo u ftua në gjykatë, avokati paraqiti një arsyetim të mjekut për mungesën e saj. Është raportuar se Dalia Lopez vuan nga diabeti, që do të thotë se ajo konsiderohet e rrezikuar dhe se duhet të qëndrojë e izoluar për shkak të koronavirusit.
Ish-skuadra e Ronaldinhos, Barcelona, është distancuar nga ylli i futbollit. Kjo bënë që gjasat e Ronaldinhos për lirim të zbehen çdo ditë e më shumë.
Janë mohuar edhe raportet që Lionel Messi ka shprehur gatishmëri të ndihmojë ish-bashkëlojtarin e tij.
Një shok i Ronaldinhos e ka vizituar atë në burg së fundi dhe ka thënë se ai është i trishtuar dhe i zemëruar, por se vazhdon të buzëqesh. Ronaldinho ka thënë se kurrë nuk do të udhëtojë më për në Paraguai.
Pas arrestimit të tij, raportime të shumta kanë bërë të ditur se Ronaldinho mund të jetë i përfshirë edhe në skema të larjes së parave. Ronaldinho ka shkuar në Paraguai për të marrë pjesë në një ngjarje bamirësie , por u ndal nga policia pak pas arritjes.
Ish-fituesi i Topit të Artë ka kërkuar masë të arrestimit shtëpiak, por gjykatësi refuzoj, duke vlerësuar se ka rrezik të largimit të tij dhe të obstruksioneve të ndryshme. Mbrojtësit e yllit brazilian kanë thënë se pasaporta i është dhënë atij si dhuratë simbolike dhe se Ronaldinho gabimisht e ka paraqitur atë në aeroport, duke menduar se është pasaporta e tij braziliane.