Barcelona i ka hedhur poshtë spekulimet e shumta të së martës se klubi ka vendosur ta shkarkojë trajnerin Ernesto Valverde në orët në vazhdim, duke thënë se klubi është në një periudhë reflektimi momentalisht.
Gjatë ditës së martë u raportuar se kampioni spanjoll do ta shkarkojë Valverden sot ose nesër më së largu, por kjo mundësi është hedhur poshtë nga klubi, sipas mediumit të afërt me Barçën, Mundo Deportivo.
Burime brenda klubit kanë bërë të ditur për Mundo Deportivon se gjiganti katalonas nuk ka vendosur asgjë rreth trajnerit dhe se momentalisht presidenti Josep Maria Bartomeu dhe klubi në përgjithësi janë në një periudhë reflektimi për sezonin që lamë pas dhe për atë që ndodhi në Liverpool dhe në Sevilla në veçanti.
Prandaj, nuk pritet të ketë ndonjë lajm rreth trajnerit në javën në vazhdim.
Bartomeu do të takohet me bordin e klubit për të vendosur se çfarë vendimesh do të merren për sezonin e ardhshëm.
Aty do të vendoset për ardhjet e reja dhe largimet nga klubi, si dhe a të vazhdohet me Ernesto Valverden apo jo. Mundësia që Valverde të shkarkohet mbetet e hapur ende, sipas Mundo Deportivos.