Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, i ka bërë thirrje skuadrës së tij që të përkujdeset të mos i lërë hapësirë Manchester Unitedit për të bërë një kthesë të radhës historike në Ligën e Kampionëve. Barcelona të mërkurën mbrëma në “Old Trafford” do të përballet me Unitedin në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Në 1/8 e finales, Manchester Unitedi bëri sensacion duke u rikthyer pas humbjes 2:0 në shtëpi nga Paris Saint-Germaini, për të triumfuar 3:1 në udhëtim dhe u kualifikua tutje në saje të rregullit të epërsisë së golit si mysafir, shkruan Koha Ditore.
“Ndeshja ndaj Parisit duhet të shërbejë si shembull për ne se nuk mund ta lësh Manchester Unitedin të gjallë. Nëse e sheh mundësinë për të fituar me shumë gola, atëherë duhet bërë këtë. Në ndeshjen e parë Parisi ishte skuadër më e mirë, shënoi dy gola dhe ka mundur të shënonte më tepër. Mirëpo, Unitedi ka histori të madhe dhe në ndeshjen e kthimit luajti me shumë lojtarë të rinj nga akademia dhe arriti të kthehet”, ka deklaruar Pique. “Ajo ndeshje duhet të na vetëdijesojë se duhet të jemi shumë të përqendruar dhe se Unitedi është shumë i rrezikshëm”.
Pique kishte kaluar pesë vjetët e parë si profesionist te Manchester Unitedi, pasi i ishte bashkuar skuadrës si 17-vjeçar nga Barcelona. Mirëpo, u kthye te Barcelona në vitin 2008, pasi kishte dështuar të siguronte vend titullari tek Unitedi në të cilën skuadër ishin tandem në qendërmbrojtje Rio Ferdinandi e Nemanja Vidiqi.