Një ofertë e çmendur. Kështu e konsideron e përditshmja katalane “Sport” propozimin që Barcelona ka vendosur t’i bëjë Napolit për një nga protagonistët e sezonit rekord në Serinë A.
Bëhet fjalë për Kalidou Koulibaly, mbrojtësin 26-vjeçar, që mbërriti te napolitanët në kohën e Rafa Benitezit dhe që u përmirësua ndjeshëm nën drejtimin e Maurizio Sarrit, aq sa bëri edhe rolin e regjisorit të tërhequr dhe të njeriut gol në goditjet standarde.
Nuk është hera e parë që futbollisti senegalez, pjesëmarrës në Botëror, përfundon si objektiv i klubeve të mëdha. Edhe Chelsea po studion mundësinë e blerjes së tij.
Por cila është oferta “blaugrana” për Koulibaly? Sipas raportimeve të fundit, Barça është gati të shpenzojë 40 milionë euro, plus tre futbollistë. E cilët janë ata? Sulmuesi Paco Alcacer dhe dy mesfushorët Denis Suarez dhe Andre Gomes, transmeton “SS”.
Ndoshta De Laurentiis e ka pikë të dobët 26-vjeçarin, por me 40 milionë euro dhe me tre elementë cilësorë, mund të ndërtojë gjysmën e skuadrës.