Barcelona mund të regjistrojë për herë të parë më tepër fitore se Real Madridi në ndeshjet “El Clasico” në ligë, në rast se triumfon sonte në “Santiago Bernabeu”.
Aktualisht dy klubet kanë nga 72 fitore, ndërsa 35 ndeshje mes tyre në ligë kanë përfunduar baras. Asnjëherë Barcelona nuk ka shënuar më tepër fitore se Reali në ligë në “El Clasico”.
Barcelona kryeson renditjen në La Liga me 55 pikë, dy më tepër se Real Madridi që zë vendin e dytë. Me një fitore eventuale do të shkëputej në pesë pikë.
“Për Realin ndeshja është më jetësore dhe më e rëndësishme sesa për ne. Është një ndeshje vendimtare për Realin, por edhe për ne është e rëndësishme, ndonëse jo aq e rëndësishme sa për Realin. Një fitore ne do të na siguronte një epërsi prej pesë pikëve. Pres një ndeshje shumë të ngushtë”, ka deklaruar trajneri i Barcelonës, Quique Setien.
Barcelona ka fituar tetë nga 11 titujt e fundit në La Liga.
Dy klubet në ndeshje futen pas dëshpërimit në kupat evropiane në mesjavë. Real Madridi pësoi 2:1 në shtëpi nga Manchester City në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, ndërsa Barcelona pësoi 1:1 në udhëtim me Napolin.
Trajneri i Realit, Zinedine Zidane pranon se Reali është në situatë delikate.
“Është një kohë delikate për ne, pasi nuk kemi fituar në tre ndeshjet e fundit në stadiumin tonë. Por, ne e dimë se gjëra të tilla mund të ndodhin. Do të dalim nga kjo situatë vetëm duke qëndruar të fortë dhe duke mos dëgjuar se çfarë thonë njerëzit për ne. Na duhet përkrahja e tifozëve tanë nga minuta e parë deri në të fundit. Unë mund të kuptoj zhgënjimin e tifozëve tanë, por na duhen ata dhe ne u duhemi atyre. Ne do të japim çdo gjë në fushë”, ka thënë Zidane.