Me vitin e ri financiar që nisi më 1 korrik, Barcelona tashmë është e lirë për të bërë një merkato siç i ka hije. Klubi katalanas këtë javë do të bëjë përpjekjet e fundit për mesfushorin Marco Verratti, synimi i tij më i madh i kësaj vere dhe emri më i bujshëm i përmendur në medie.
Siç shkruan gazeta “El Mundo Deportivo”, vetë presidenti Josep Maria Bartomeu do të marrë përsipër bisedimet me PSG-në, çka tregon se në “Camp Nou” duan me çdo kusht që italiani dhe drejtuesit e klubit parisien të thonë “po” para 10 korrikut, kur kryeqytetasit do të nisin fazën përgatitore.
Si mund të ndryshojë formacioni i Barcelonës me Verratti-n
Kjo çështje, megjithatë, ka edhe një kleçkë. Barcelona beson se Verratti nuk vlen më shumë se 80 milionë euro dhe kjo është oferta më e mirë që mund të bëjë për 24-vjeçarin, pavarësisht se së fundmi janë përmendur edhe shifra më të larta.
Deri tani, PSG-ja ka bërë një qëndresë të fortë për mesfushorin, të cilin e konsideron të pashitshëm. Atij, madje, i është ofruar edhe rinovimi i kontratës (me rritje page), por nuk ka pranuar. Siç ndodh jo pak herë në futboll, Verratti raportohet se i ka bërë presion klubit të tij, që ta lejojë të transferohet te Barcelona, por kjo nuk ka ndryshuar gjë.
Ja çfarë page refuzoi Verratti nga PSG-ja
Barcelona të premten zyrtarizoi blerjen e parë të verës, duke rikthyer në shtëpi sulmuesin Gerard Deulofeu për 12 milionë euro. Nënkampionët e Spanjës duan edhe një mbrojtës të djathtë, me këmbëshpejtin Hector Bellerin si lojtarin më të preferuar për këtë pozicion.