Barcelona ka mbetur e pakënaqur me vendimet e gjyqtarëve që nga rinisja e La Ligës, duke thënë se vendimet kanë shkuar në favor të Real Madridit gjatë javëve të fundit. Këto thirrje i ka drejtuar qendërmbrojtësi veteran i katalonasve, Gerard Pique.
Të premten, Gerard Pique sugjeroi se gjyqtarët në La Liga po e favorizonin Real Madridin në garën për titull, para se Los Blancos të përfshiheshin të dielën në një fitore kundër Real Sociedadit, ku VAR-i luajti rol kyç.
Sonte, të martën, gjyqtari Jesus Gil Manzano do ta ndajë drejtësinë në përballjen e Barcelonës me Athletic Bilbaon dhe kjo ka bërë që situata të tensionohet edhe më shumë.
Gil Manzano kishte qenë në qendër të vëmendjes pas ndeshjes së Barcelonës kundër Real Sociedadit më herën këtë sezon, që përfundoi me barazim 2:2. Barcelona ishte ankuar zyrtarisht në Federatën Spanjolle të Futbollit për një vendim të Manzanos.
Gerard Pique ishte rrëzuar brenda zonës së penalltisë dhe Manzano, i cili ishte gjyqtari në dhomën e VARit, nuk kishte ndërhyrë për këtë incident, përderisa Real Sociedadit i ishte akorduar një penallti paraprakisht për një incident të ngjashëm.
Kjo nuk kishte qenë hera e parë që Gil Manzano ishte përplasur me lojtarët e Barcelonës, pasi që Pique e kishte pasur një diskutim të tensionuar me të edhe gjatë sezonit 2018/19, pasi e kishte ndëshkuar Clement Lengletin me karton të kuq gjatë pjesës së parë të ndeshjes kundër Gironës.
“Historia tregon vetë”, i kishte thënë Pique gjyqtarit në tunel, pas pjesës së parë të ndeshjes.
Pique më herën e kishte kritikuar Gil Manzanon në Twitter në vitin 2017 për vendimet e tij në një fitore me rezultat 3:2 të Real Madridit kundër Villarrealit, kur madrilenët e kishin kthyer rezultatin përmes një penalltie kontroverse.
Gil Manzano ka qenë gjyqtar në ndeshje të Barcelonës 23 herë – 15 prej të cilave i kanë fituar katalonasit, pesë i kanë barazuar dhe tre i kanë humbur. Në këto ndeshje, lojtarët e Barcelonës janë ndëshkuar gjashtë herë me kartonë të kuq.