Barcelona fitoi titullin kampion në Spanjë sezonin e fundit, por dështoi në Champions dhe e ka kuptuar që Messi nuk vijon dot i vetëm luftën, tani që janë larguar Xavi e Iniesta.
Blerjet e qendërmbrojtësit Lenglet dhe mesfushorit Artur janë të goditura, por nuk mjaftojnë për të ngritur Barcelonën në nivelet e jashtëzakonshme të pak viteve më parë, raporton Sport Express.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit po mendojnë një operacion të çmendur, sepse kanë nisur punën për të kuptuar nëse është e mundur të blihen dy yje të Chelseat, Eden Hazard dhe N’Golo Kante.
I pari do të ishte pasuesi ideal i Iniestës dhe Barça kërkon të fitojë dhe një derbi me Realin, që gjithashtu e do me çdo kusht belgun, i cili nga ana e vet nuk ka shprehur ndonjë preferencë, por duket gjithnjë e më i prirur për të kërkuar transferimin në Spanjë.
Ndërkaq, Kante është motori i Chelseat, por trajneri i ri Sarri do të marrë me vete Zhorzhinjon nga Napoli dhe nëse vjen oferta e duhur, gjithçka mund të ndodhë. Barça ofron edhe Andre Gomezin, por natyrisht si për Kante, ashtu edhe për Hazard, do të duheshin thasë me euro.