Mesfushori shqiptar Enis Bardhi ka rinovuar edhe për dy vite kontratën me skuadrën nga La Liga, Levante që ka njoftuar të martën.
Me kontratën e re, Bardhi do të jetë pjesë e klubit spanjoll deri në verën e vitit 2022, me mundësi vazhdimi edhe për dy vite tjera, transmeton Koha Ditore.
Mësohet se në këtë kontratë, Bardhi ka edhe një klauzolë lirimi në vlerë prej 30 milionë eurosh. Mesfushori 23-vjeçar, vitin e shkuar iu bashkua Levantes nga Ujpesti i Hungarisë për 1.5 milionë euro dhe në edicionin e tij të parë në La Liga shkëlqeu me nëntë gola në 26 paraqitje.
Këtë edicion, Bardhi ka një gol dhe një asistim në tetë ndeshje kampionale. “Unë jam shumë i lumtur te Levante dhe shpresoj që ta ndihmoj klubin edhe për shumë vite tjera”, ka thënë Bardhi pas rinovimit të kontratës. Bardhi është reprezentues i rregullt i Përfaqësueses së Maqedonisë.