Barcelona ka kompletuar transferimin e sulmuesit 16-vjeçar Louie Barry javën e kaluar. Tinejxheri refuzoi kontratën e parë profesioniste te West Bromwich-Albioni për të firmosur me Barcelonën dhe për luajtur me ekipin U-19. Por kush është ky lojtar dhe çfarë mund të presë Barcelona nga ai?
Lëvizje e madhe për një lojtar kaq të ri
Vërtet është lëvizje e madhe, e veçanërisht me faktin se Barry vetëm sa ka mbushur 16 vjet më 21 qershor. Mirëpo, sulmuesi nuk është një lojtar i zakonshëm. Ata që përcjellin futbollin e të rinjve në Angli duhet të dinë se Barry është një nga lojtarët më të vlerësuar të grupmoshës së tij, shkruan sot Koha Ditore.
Në stinorin 2018-19, Barry luajti për skuadrën U-18 të West Bromwichit dukshëm para në moshë dhe kishte krijuar bujë me përfaqësuesen U-16 të Anglisë në turne ndërkombëtar. Vëzhguesit jo vetëm nga Barcelona, por edhe nga Manchester Unitedi, Paris Saint-Germaini, Bayern Muencheni dhe Juventusi janë interesuar për të.
Sipas agjencisë Reuters, ishte Parisi që bëri lëvizjen e parë dhe madje Barry u ishte nënshtruar edhe kontrolleve mjekësore te skuadra kampione e Francës, por më pas ndërroi mendjen kur Barcelona bëri të qartë interesimin për të.