Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, deklaron se është asgjësuar 18 qershori, si datë ligjore për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë.
Ai tha se dy partitë duke mos dorëzuar listat e tyre shumë emërore e kanë asgjësuar ligjërisht.
“Me këtë akt dhe sipas kodit zgjedhor në këtë moment është asgjësuar 18 qershori si datë ligjore për zgjedhje në republikën e Shqipërisë. Jo zbatimi i ligjit por shkelja e tij ka qenë tipari i kësaj qeverisjeje. Tellalli do dalë sot me lloj-lloj justifikimesh e intepretimesh se data ishte sot e jo dje. Fakti është se data ka skaduar fakti është se këta nuk duan t’ia dinë as për ligj as për afate”, tha ai.
Duke i kthyer përgjigje Presidentit të sapozgjedhur, Ilir Meta, Basha thotë se me zgjedhjen e tij President u firmos edhe akti i fundit i republikës së vjetër.
“Dy janë mundësitë që republika e vjetër të vazhdojë avazin me një ftesë ndaj opozitës PD dhe meje, presioni ndaj nesh ka një qëllim që të bëhemi pjesë e këtij pazari të fëlliqur. Alibi dhe perde për një proces të paracaktuar. Ne i kemi thënë jo dhe vazhdojmë t’i them jo”, tha Basha.