Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pasi Parlamenti i dha autorizim SPAK-ut për arrestimin e deputetit Sali Berisha.
“Deputetët e PD-së mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK-ut dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha”.
“Deputetët e PD-së nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën”, tha Basha mes tjerash, raporton Tch.
“PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK-ut dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish-qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për t’i bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD-në dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”, thuhet në deklaratën e Lulzim Bashës.