Kandidati për kreun e ri të Partisë Demokratike, në kuadër të fushatës për zgjedhjet brenda PD-së, Lulzim Basha ka vijuar turin e tij të takimeve me demokratët e Durrësit, Shijakut, Rrogozhinës dhe Fierit.Gjatë bashkëbisedimeve të tij më qytetarët, Basha deklaroi se Partia Demokratike duhet të vazhdojë rrugën e saj të kauzave të drejta për Shqipërinë, ndërsa theksoi se do të implementojë konceptin e “Republikës së re”, ku fuqia qëndron tek qytetari dhe tek rikthimi i vlerave demokratike.
Sipas tij, zgjedhjet parlamentare të 25 qershor ishin hera e fundit kur listat dorëzohen nga kryetari.“Kur i dhamë shqiptarëve konceptin e Republikës së Re, që në thelb është një raport i ri midis qytetarit dhe pushtetit, me zgjedhje të drejtpërdrejta të deputetëve, me zvogëlim të numrit të deputetëve, me ndryshim të balancës kushtetuese midis institucioneve, fuqizimin e qytetarit, eliminimin e partitokracisë dhe rikthimin tek vlerat demokratike për të cilat u ngritëm 25 vjet më parë, kjo do të ndodhë edhe brenda Partisë Demokratike.
Fuqizimi i anëtarit do të thotë vendimmarrje një anëtar një votë, siç u shpreha kur dorëzova listën e deputetëve. Kjo duhet të jetë hera e fundit që lista dorëzohet nga kryetari. E që këtej e tutje duhet të jetë produkt i një proçesi transparent gjithëpërfshirës me standarde dhe konkurrues për të evidentuar me votën e çdo anëtari të Partisë Demokratike, më të mirët dhe për tu bashkuar rreth tyre në betejë”, deklaroi ai.
Ndërkohë Basha theksoi se Zgjedhjet e 25 qershorit dhe mazhoranca që doli prej saj, janë një version i asaj të vitit ’91. Sipas tij, asokohe qytetarët bëheshin pjesë e votimeve fiktive nën terrorin e Sigurimit të Shtetit.
“Qytetarët ishin skeduar me metodat e sigurimit famëkeq. Paratë ishin shpërndarë, ata mbaheshin nën vrojtim me ndihmën e një shteti të bërë njësh me krimin, administratës, shërbimeve, ndihmës sociale, subvencioneve, legalizimeve, me mediat të gjitha të kapura dhe të vëna në shërbim të pushtetit dhe gjithçka tjetër. Në këto kushte u zhvilluan zgjedhjet e 25 qershorit. Në këto kushte mazhoranca që ka dalë nga 25 qershori është një mazhorancë fiktive. Nuk reflekton vullnetin e njerëzve aq sa e reflektonte ajo e 91-shit, për rrethana të njëjta apo të ngjashme. Reflekton frikën, dëshpërimin, reflekton varfërinë që këta e theluan. Ne jemi te vetmit që kemi moralin forcën, kurajon vizionin dhe planin për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Nuk ka dritë në fundin e tunelit të Edi Ramës”, nënvizoi Basha.