Basha komenton raportin e DASh-it: Ekonomia shqiptare po vdes

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 10:31 | Nga

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një postimi në Facebook komentoi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), sipas të cilit “Shqipëria është një vend i vështirë për të bërë biznes”.

“Ekonomia shqiptare po vdes përditë si pasojë e plaçkitjes dhe shkatërrimit nga Edi Rama dhe një grusht oligarkësh me të cilët ai ndan qindra miliona. Tashmë është e qartë se i vetmi qëllim dhe i vetmi motivim i Edi Ramës për pushtet është pasurimi përrallor. Prandaj e vetmja politikë ekonomike që Rama ka ndjekur këto pesë vjet ka qenë plaçkitja. Vjedhja e taksave të qytetarëve duke ja u dhënë klientëve në koncesione dhe kontrata abuzive; Vjedhja e pasurive të vendit nga nafta dhe mineralet tek tokat në bregdet e deri tek tokat në mes të Tiranës; Grabitja e investitorëve të huaj për t’i përzënë apo mbajtur larg nga Shqipëria që të mos u bëjnë konkurencë oligarkëve”, shkruan Basha në rrjetin social.

Kreu i PD-së nënvizoi se “qeveria amerikane është institucioni më i fundit që po konfirmon politikën korruptive dhe kriminale të Edi Ramës”, shkruan Top Channel.

“Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për klimën e biznesit në botë, thekson së Shqipëria nuk është vend i përshtatshëm për bizneset amerikane për shkak të korrupsionit, mungesës së shtetit ligjor, korrupsionit në PPP DHE prokurime publike dhe mumgesës së konkurrencës. Raporti ka nota negative për çdo aspekt të klimës së biznesit dhe qeverisjes, por fakti më i rëndë që dëshmon nivelin KRIMINAL të qeverisë Rama në ekonomi është pohimi se investitorëve të huaj Edi Rama u bën shantazh të bashkëpunojnë me klientët e tij ose përndryshe nuk kanë shans të investojnë”.

“Duket se plaçkitja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i ka mjaftuar Edi Ramës, ndaj kërkon të grabisë edhe amerikanët, europianët dhe këdo që kërkon të bëjë biznes në Shqipëri. Prandaj Shqipëria është vendi i vetëm në botë që nuk ka patur asnjë investim të ri të huaj gjatë pesë viteve të fundit. Prandaj nuk janë krijuar vende të reja pune. Prandaj nuk ka mundësi për sipërmarrje ekonomike”, lexohet më tej në postimin e Bashës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme