Basha: Kriza politike nuk zgjidhet me pandëshkueshmëri

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet kundër qëndrimeve se për 30 qershorin duhet të pritet krijimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Bashës, uzurpimi i pushtetit vendor nga Edi Rama në mënyrë antikushtetuese, bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës dhe me parimet bazë të demokracisë.

“30 qershori ishte jo vetëm veprim anitkushtetues dhe antidemokratik, por edhe një veprim me kosto politike e shoqërore që dëmton direkt interesat e qytetarëve.  Votimet e 30 qershorit, përtej një farse antiligjore, u manipuluan me çdo mjet dhe mënyrë, që nga manipulimet ligjore dhe kërcënimet e votuesve tek manipulimi i votimit dhe numërimit. Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe të institucionit themelor të demokracisë, zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve”.

Basha thekson se “opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur. Këtë gjë e vendosën vetë shqiptarët më 30 qershor, në shumicë dërrmuese”.

Kryeopozitari shprehet se “kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet me pandëshkueshmëri, duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit.”

“E vetmja rrugë drejt politikës normale dhe demokratike është ajo e sundimit të ligjit, që do të thotë, mbi të gjitha, një gjë: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin. Ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike. 30 Qershori është nul, sepse cënon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik”, thotë Basha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme