Basha: Nuk ka zgjidhje pa qeveri teknike

Prishtinë | 15 Pri 2017 | 14:05 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu përgjigj deklaratës së kreut të Kuvendit, Ilir Meta se do ftojnë përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri.

PD-ja është anëtare e PPE-së, një organizëm i partive të djathta dhe të qendrës.

Por Basha tha se pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje.

“Zgjedhje të lira e të ndershme do të ketë vetëm me qeveri teknike. Meqë këta, PS dhe LSI i paskan zgjidhur punët me njëri-tjetrin dhe paskan dalë me platformë që do i kërkojnë PPE të ndihmojë negociatat, po u them kërkojini ku të doni, pa një qeveri teknike nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Kështu që sa më shumë kohë i vidhni shqiptarëve aq më e rëndë do të jetë fatura për vendin. Ju siguroj që do të bëjë gjithçka që pjesën kryesore të kësaj fature ta paguani ju, përgjegjësit e kësaj situate. Prandaj lërini demagogjitë, zgjidhni njëherë punët me socialistët tuaj se një pjesë e dinë që jeni të inkriminuar, se me PPE-në ka kush flet”, tha Basha.

Ai tha se për dialogun ka një objektiv të rakorduar prej 9 ditësh për një qeveri teknike. Ai i është përgjigjur Metës se nuk është një situatë mosbesimi.

“Dialogu ka një objektiv të rakodruar tash nëntë ditë, qeveri teknike dhe mandati i qeverisë teknike për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha nuk është në situatë mosbesimi, po jeni ju me njëri-tjetrin. Unë jam fare i qartë, kjo është qeveri e inkriminuar deri në rrënjë dhe duhet të shkulet me rrënjë nga kryeministri e çdo ministër duhet dhe do të largohet. Ju keni një hapësirë, të uleni bashkë me ne për të përcaktuar qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të pasur”, theksoi Basha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme