Basha pret në takim Osmanin

Tiranë | 18 Dhj 2020 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Presidentja në detyrë Vjosa Osmani, në ditën e tretë të vizitës së saj në Shqipëri, është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Më pas, Osmani do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj ku në Bashkinë e Tiranës do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit.

Ushtruesja e detyrës së presidentes vizitën e saj në Shqipëri do ta përmbyllë me takimin me ish-Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Presidentja në detyrë e Kosovës gjatë dy ditëve të kaluara ka pasë një agjendë të ngjeshur të takimeve me liderët shtetërorë dhe partiakë në Shqipëri.

Gjatë të mërkurës, ajo u prit në takim nga presidenti shqiptar Ilir Meta me të cilin më pas mbajti edhe një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë të enjtes, Osmani u takua me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

Po këtë ditë ajo u takua edhe me kryeministrin Edi Rama, si dhe bëri nderime te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Nderime u.d e Presidentes së Kosovës ka bërë edhe te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës para se të nisë vizitën zyrtare në Tiranë.

Kjo është vizita e parë e Vjosa Osmanit prej që mori postin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës. Kjo vizitë ishte planifikuar të ndodhte ditë më herët, por e njëjta u shty për shkak se Osmani u infektua me COVID-19.

Të ngjashme