Basha prezanton programin ekomomik të PD-së, 110 mijë vende të reja pune

Prishtinë | 28 Jan 2021 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike ka prezantuar programin ekonomik të saj për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Kryetari i saj, Lulzim Basha ka deklaruar se programi ekonomik i PD nuk është premtim, por angazhim i tij dhe ekipit që do të udhëheqë.

Për këtë arsye, tha Basha, këto angazhime do të përmbushen brenda 4 viteve të para të qeverisjes demokratike.

“I kemi kushtuar këtij plani shumë kohë, po mbushen 2 vite. Sepse këtë herë duam të sjellim para jush një program pune, një program të zbatueshëm që do t’u shërbejë shqiptarëve. Ky është një program që do ta cojë Shqipërinë përpara pas fitores së zgjedhjeve të 25 Prillit. Jeni lodhur nga ata që ju premtojnë botën dhe nuk ju japin asgjë. Kjo kulturë e premtimeve pa doganë dhe braktisjes së tyre totale do të marrë fund. Ndaj nuk kam dalë sot para jush t’ju premtoj gjëra që nuk bëhen realtet. Nuk janë premtime, janë angazhiume të padiskutueshme. Unë sot marr këtë barrë të përgjegjësisë para jush. Jo pas 8 vitesh por direkt në 4 vitet  e para. Ka ardhur koha për ndryshim, ka ardhur koha të ndryshojmë Shqipërinë, ka ardhur koha ta largojmë këtë qeveri”.

Lulzim Basha tha se një ndër përparësitë e programit të tij është ndihma ekonomike për familjet në nevojë. Kryedemokrati premtoi hapjen e 110 mijë vendeve të reja të punës dhe uljen e taksës personale në 9%. Ndërsa u angazhua se do të rrisë pagën minimale në 360 mijë Lekë të vjetra në muaj dhe do të ulë çmimin e karburantit me 240 Lekë të vjetra për litër.

“Dyfishimi i të ardhurave për frymë është objektivi ynë parësor. Koaliconi ynë qeverisës angazhohet përmes programit tonë të të dyfishojmë të ardhurat për frymë. Nuk do të ketë familje shqiptare që do të vuajnë për bukën e gojës. Hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Varfëria do të ulet me 50% brenda mandatit tonë të parë. Shtresa e mesme është motori i zhvillimit sepse nxit ecjen përpara të ekonomisë.

Rinia shqiptare është fokusi i këtij programi dhe e ardhmja e vendit. Largimi i të rinjve është katastrofë kombëtare. Kjo qeveri jo vetëm e la këtë çështje, por nxiti emigrimin më masiv në këto dekada. Angahzimi jonë i parë është minimumi 110 mijë vende të reja pune përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Unë angazhohem të rris pagën minimale dhe ta çoj atë në 36 mijë lekë të reja në muaj. Angazhohem t’i ul taksat personale nën 9% duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë Lekësh. Angazhohem të ul sigurimet shoqërore në vlerën 18%. Një nga vendimet e para të qeverisë do të jetë anulimi i taksës Rama prej 24 lekë të reja për litër për karburantin. Për çdo pronar automjeti, për gjithë ata që nuk kanë një automjet, prej ditës së parë të qeverisë së re çdo litër karburant do t’ju kushtojnë 240 lekë të vjetra më pak se sa ju kushton sot. Taksa Rama mbi karburantin do të eliminohet. Angazhohem se në fund të mandatit, pensionet mesatare shqiptare të kenë kaluar pensionet mesatare të rajonit. Angazhohem të ul çmimin e energjisë elektrike dhe të karburanteve”.

Për arsimin, Lulzim  Basha u shpreh se studimet e larta për studentët që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë Lekë të vjetra në muaj, do të mbulohen nga shteti. Ndërsa librat për ciklin parauniversitar do të jenë falas.

“Ne do të mbulojmë shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Arsimimi, dija, kultura. Tekstet shkollore do të jenë falas për të gjithë ciklin parauniversitar. Arsimi dija, përgatitja e brezit të ri. Ne do të investojmë që çdo fëmije ti jepet mundësi e barabartë për të pasur sukses”.

Kryetari i Partisë Demokratike premtoi lehtësira ekonomike dhe mundësi për çiftet e reja që vendosin të krijojnë familje e të blejnë shtëpi.

“Ne do të mbështesim familjet shqiptare. Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për pesë vitet e para të jetës. Çdo vit të qeverisjes time 5 mijë çifte dhe familje të reja do të përfitojnë nga subvencionimi i plotë i interesave të kredive për strehim, çka do të thotë për ju të sapomartuar apo të sapofejuar apo që doni të hidhni këtë hap në jetë por që nuk keni asnjë mundësi as ta çoni nëpër mend blerjen e një banese, se pas 25 Prillit qeveria juaj do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të merrni për të blerë një apartament apo një banesë. Në fund të mandatit tonë të pare, do të jenë 20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë siguruar strehim përmes kësaj skeme të subvencionimit të interesave”.

Edhe për fermerët, Lulzim Basha u angazhua për t’u ofruar 100 milionë Euro mbështetje direkte.

“Për herë të parë, me qeverinë e dalë nga vota e 25 Prillit fermeri shqiptar do të ketë të njëjtën mbështetje si fermerët e vendeve fqinje. 100 milionë Euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale”. (tvklan.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme