Kreu i PD-së Lulzim Basha është shprehur të dielën e 24 tetorit se ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për t’u rikthyer te demokracia, te ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta dhe te ndarja e politikës nga krimi.
“Ka një dhe vetëm një pengesë që e mban 8 vjet Shqipërinë në vendnumëro në procesin e integrimit. Ky është fakti që Shqipëria udhëhiqet nga një njeri dhe nga një grup njerëzish që kanë vënë interesat personale, pushtetin dhe lakminë e tyre për t’u pasuruar dhe mbajtur këtë pushtet në mënyrë paligjshme mbi interesat e shqiptarëve”, shkroi Basha në Tiwtter.
Sipas tij, rruga e vetme për t’u rikthyer tek demokracia, sundimi i ligjit janë “ndryshimet kushtetuese të propozuara nga ne”.
“Nuk kam hequr dorë nga platforma për demokracinë që kam shpalosur në janar të këtij viti. Nga ndryshimet e thella kushtetuese. Nuk kam hequr dorë nga propozimet e mia, që forcojnë kontrollin dhe balancën e institucioneve, që nga bikameralizmi tek kufizimi i kryeministrit në dy mandate, tek forcimi i kompetencave të institucioneve të pavarura tek shumë hapa të tjerë”.
Kryedemokrati thekson se paketa e plotë e ndryshimeve kushtetuese do të kufizojnë dhe garantojnë ndarjen e pushteteve për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt Bashkimit Evropian.