Bashkëjetesa ndërfetare, trashëgimi e çmuar që duhet të vazhdojë

Prishtinë | 21 Mar 2025 | 12:42 | Nga Gzim Mujaj

Kosova njihet si vend me trashëgimi dhe histori të gjatë të bashkëjetesës ndërfetare e ndëretnike, u tha në Tryezën e dialogut ndërfetar, në të cilën u bë thirrje që kjo trashëgimi të vazhdojë, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se dialogu është rruga e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet.

Presidenti i Fondacionit, Drita Zef Gashi, tha se Kosova ka një trashëgimi dhe histori të gjatë të bashkëjetesës fetare dhe bashkëjetesës ndëretnike, që sipas tij, duhet ruajtur dhe forcuar më shumë.

Ai tha se në kohën kur bota është duke u përballur me sfida të shumta, sot nga Kosova dërgohet mesazhi i qartë se dialogu është ura e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqedashëse.

“Synimi është të forcojmë të përbashkëtën pa e cenuar të dallueshmen. Shpresojmë për një të ardhme të përbashkët për të gjithë. Duhet të forcojmë atë që na bashkon. Uniteti nuk duhet të kuptohet si një përpjekje për të zhdukur diversitetin tonë. Synojmë që kjo tryezë të vazhdojë edhe vitin tjetër, sepse jemi të bindur se paqja nuk është në gjendje statike. Pikërisht në këtë kohë kur bota përballë me sfida të shumta, ne sot dërgojmë një mesazh të qartë, dialogu është ura e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqedashëse. Kosova ka një histori të gjatë të bashkëjetesës që është trashëgimi e çmuar. Kjo është një trashëgimi e çmuar, që jo vetëm duhet ruajtur, por edhe duhet forcuar më shumë”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka thënë se në historinë e popullit shqiptar nuk ka pasur asnjëherë konflikte që kanë bazë fetare, duke shtuar se ky është një model shqiptar që nuk gjendet në ndonjë vend tjetër.

Ai ka shtuar se dialogu ndërfetar si një aspekt thelbësor nuk gjendet askund si në Kosovë.

“Ekziston një model, i cili është origjinal, sepse vështirë është të gjendet diku tjetër. Historia e gjatë e popullit tonë të përvuajtur tregon se në asnjë moment të historisë sonë nuk ka pasur një konflikt, që ka bazë fetare në kombin tonë. Kombi ynë është bartës i katër feve të mëdha monoteiste. Kur themi modeli shqiptar ekziston ai, duhet që të prodhohet literaturë, është pasuri që e kemi dhe duhet që ta shpërndajmë. Dialogu ndërfetar si një aspekt thelbësor nuk gjendet askund si në Kosovë”, ka thënë ai.

Delegati Apostolik i Vatikanit Jean Marie Speich, ka thënë se duhet të punohet për dialog, duhet të punojmë për paqe dhe të ecim përpara.

“Diçka sikur këtu që promovojmë me përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare, sepse zgjidhja e lumturisë e bashkëjetesës nuk është vetëm në politikë dhe ekonomi, por në dialog dhe bashkëjetesë paqësore. Është kënaqësi dhe moment i sinqeritetit, ne mund  të vjelim shumë fruta nga kjo ditë. Siç e dini, selia e shenjtë e promovon dialogun ndërfetar për kohë të gjatë. Zgjidhja e mirë është që të shkojmë te njeri- tjetri hap pas hapi. Kjo është esenciale dhe po e shoh organizimin e ditës së sotme në këtë kuptim. Ne duhet të punojmë për dialog. Duhet të punojmë për paqe dhe të ecim përpara”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se paqja është një realitet i prekshëm, për të cilin duhet punuar të gjithë.

Të ngjashme