20 vjet më parë, pikërisht më 24 mars të vitit 1999 forcat paqeruajtëse të NATO-s nisën bombardimet mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat zgjatën 78 ditë, duke rezultuar me çlirimin e Kosovës.
Profesori në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, njëherësh bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, kujtoi ditët e sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake, paramilitare serbe.
Hamiti tregoi se ditën kur do të fillonte intervenimi i NATO-s, ishte duke punuar në Qendrën për Informim të Kosovës, deri nga ora 16:00, ku lajmi i fundit ishte deklarata e zëdhënësit të presidentit Rugova, Xhemajl Mustafa.
Në deklaratën e tij, sipas Hamitit bëhej kërkesë që të tregohej në opinion për fillimin bombardimeve të NATO-s, pasi ishte krijuar përshtypja që do të kishte një hezitim të këtyre sulmeve kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Ai po ashtu tha se momenti i sulmeve të NATO-s kishte zgjuar gëzim të madh në fytyrat e njerëzve.
“Ditën e sulmeve unë kam punuar në Qendrën për Informim, në Prishtinë deri nga ora 15:00-16:00. Kujtoj që lajmin e fundit ka qenë një deklaratë e zëdhënësit, Xhemail Musatafa në të cilën bëhej kërkesë që të shkohej me sulmet e NATO-s, sepse ishte krijuar një përshtypje se do të kishte ndonjë hezitim. Kosova kishte zhvilluar përpjekje politike gati për një dekadë për çlirimin e vet, kurse Serbia kishte filluar terrorin e vet, duke vrarë mijëra vet dhe përzënë shumë të tjerë. Kujtoj ditën e sulmit dhe gëzimet që mbretëronte në fytyrat e njerëzve, sepse shihnim mundësinë e çlirimit të Kosovës, pasi kishim bërë përpjeke politike gati për një dekadë për këtë çlirim”, tregoi ai.
Sipas tij, shenjat e para të sulmeve të NATO-s në rrethinat e Prishtinës janë parë me sy edhe përmes televizionit që në atë kohë e kanë ndjekur përmes antenave satelitore.
“Janë parë shenjat e sulmeve me sy në rrethinat e Prishtinës dhe përmes televizioneve, të cilat i kemi parë përmes antenave satelitore. Në Prishtine, atë natë ka pasur dhe sulme tjera, ato të serbëve ndaj selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Qendrës për Informim të Kosovës, te selia e LDK-së e cila ka qenë edhe selia e shtetit të Kosovës për një dekadë. Ajo u vu në shënjestër ditën e parë sikurse që ishte vendosur në shënjestër zyra diplomatike e SHBA-së, për disa vite, nga viti 1996. Serbia kishte marrë këtë hap për të zhdukur përfundimisht shtetin e Kosovës”, tha tutje profesori Hamiti.
Ai u shpreh se natën e bombardimeve diku nga ora 19:00 ose 20:00 e ka përjetuar bashkë me familjen e tij, në Prishtinë.
“E kam përjetuar në familje sikurse shumica shqiptarëve. Dikush thoshte që bombardimet do të përfundonin për disa ditë, por kjo vazhdoi më shumë. Lufta e Kosovës zhvillohej në disa lokacione të Kosovës dhe ne ishim krejtësisht të pambrojtur. Nga muaji maj rreth një milion shqiptarë kanë qenë të përzënë nga Kosova ashtu siç kam qenë dhe vet, ndërsa të zhvendosur nga shtëpitë e tyre qindra të tjerë.
Hamiti theksoi se në muajin shkurt të vitit 1999 Serbia ka sjell trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake duke u militarizuar shumë në Kosovë.
“Në shkurt, Serbia ka sjellë trupa dhe pajisje të mëdha duke u militarizuar shumë. Ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë është quajtur ndërhyrje humanitare. Me këtë është parandaluar një gjenocid të ri. Serbia ka bërë përpjekje për këtë”, vazhdoi rrëfimin e tij, Hamiti.
Profesori po ashtu tregoi edhe për ndalesën që iu ka bërë atij dhe shumë të tjerëve në vitin 1990 nga Serbia, për të hyrë në ndërtesën e atëhershme të Fakultetit Filozofik.
Siç tha Hamiti, ish presidenti Rugova në ato vite ka paraqitur edhe një plan dhjetë pikësh për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Nga viti 90 deri në vitin 99 mua dhe shumë të tjerëve na është ndaluar nga Serbia të hymë në derën e fakultetit filozofik. Presidenti Rugova ka paraqitur një plan dhjetë pikësh për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dhe pika e parë ka qenë vendosja e një protektorati civil dhe ushtarak në Kosovë. Kur e ka bërë këtë kërkesë, Kosovës në sytë e njerëzve, dhe të disa shqiptarëve këtu është dukur si një kërkesë jo realiste. Janë dashur disa vite prej vitit 93 deri në vitin 99 që kjo të dilte në një farë mënyre si një profeci. Tamam u realizua ideja e Rugovës që Kosova për të shkuar drejt pavarësisë përfundimtare do të kishte nevojë për një periudhë kalimtare të një protektorati civil dhe ushtarak që ndodhi në qershor në vitin 99…”, tha Hamiti për Telegrafin.
Hamiti gjithashtu u shpreh se natën e sulmeve të NATO-s në Kosovë, i vetmi në Prishtinë nga udhëheqësit shqiptarë ka qenë presidenti, Ibrahim Rugova.
“Unë kam qenë përkthyes për gjuhën në anglisht në Rambuje. Kam përcjell konferencën nga afër jo brenda në kështjellë, por nga jashtë. Kam qenë në kontakt shumë të ngushtë me presidentin dhe ekipin afër tij. Ajo konferencë u patë ndërprerë për dy-tri javë me kërkesë të delegacionit të Kosovës nga UÇK-ja për konsultim nga komandantët në Kosovë… Unë në mars nuk kam shkuar. Kush e dinte se Kosova do ta nënshkruante marrëveshje e Serbia, jo. Meqë Millosheviqi nuk u bind për nënshkrimin e marrëveshjes, NATO kishte paralajmëruar edhe më herët sulmet e saj ndaj këtyre caqeve serbe. Në natën e sulmeve i vetmi në Prishtinë ka qenë presidenti Ibrahim Rugova”, tha ai.
Në natën e parë të 24 marsit, ai tha se ka pasur vrasje të njerëzve si dhe figurave të rëndësishme në atë kohë.
“Në natën e parë ka pasur vrasje të njerëzve të figurave të rëndësishme ashtu si edhe të familjes së avokatit Bajram Kelmendi. Ka pasur masakra në Podujevë, Drenicë, shkallën e krimeve të cilën e kemi marr vesh shumë më vonë. Edhe vet NATO e kishte të vështirë të merrte vesh shkallën e krimeve ndaj shqiptarëve. Për fatin e mirë të Kosovës kishte një konsensus ndërkombëtar nga Londra dhe SHBA për vazhdimin e luftës. Jemi mirënjohës edhe për kontributin e Francës, ku i kishte quajtur veprimet e serbëve kundër shqiptarëve ‘veprime barbare’. Ka qenë një ndërhyrje e madhe ndërkombëtare për të shpëtuar një popull… Vazhduan sulmet e serbëve kudo, vazhduan sulmet e NATO-s… përkushtimi i NATO-s për të vazhduar na ka shpëtuar”
“Presidenti ka paguar çmimin e përkushtimit të tij ndaj këtij vendi duke vendosur që të qëndroj këtu. Qëndroi i zënë peng nga forcat serbe të cilat u përpoqën që përmes tij të shantazhonin ndërkombëtarët”
I pyetur se 20 vjet pas luftës, a i ka harruar populli i Kosovës gjithë ato përjetime, ai tha: “Një pjesë e njerëzve i kanë harruar këto… Pas 20 vite kemi një klasë politike ku e kanë katandisur Kosovën keq, dhe faji është i kësaj klase politike dhe jo ekskluzivisht i saj por këtë klasë politike e ka zgjedh ky popull dhe mendoj që Kosova sot nuk është vetëm në krizë por dhe në rrezik”.
Profesori Hamiti theksoi se rihapja e çështjes së kufijve të Kosovës, nga politika në vend është rihapje e statusit të Kosovës.
“Ka një vit që bëhet fjalë që të rihapet çështja e mundësisë se kufijve të Kosovës dhe kjo rihapje në një mënyrë nënkupton rihapje të statusit të Kosovës dhe kjo pasi Kosova është njohur nga më shumë se 120 shtete dhe pasi ne jemi shtet i pavarur 11 vjet, etj. Këto janë ide serbe të cilat kanë qarkulluar moti, nga vitet 90. Gjithmonë i kemi kundërshtuar idetë e ndarjeve të Kosovës. Kosova e ka një identitet të vetin të mundshëm dhe përpjekjet e saj që të ndahet Kosova. Ka njerëz në politik në vende kyçe si në Prishtinë dhe Tiranë që kanë rënë pre e këtyre ideve të moçme serbe”, tha profesor Hamiti.