Sulmet e fundit të qenve endacakë në kryeqytet por edhe komunat tjera ndaj kalimtarëve të rastit kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët, të cilët me ngulm po kërkojnë veprime nga institucionet përgjegjëse për trajtimin e këtij problemi. Në anën tjetër përkundër të gjitha veprimeve të ndërmarra deri më tani, institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror nuk kanë arritur që të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme sa i përket menaxhimit të qenve endacakë dhe kontrollit të popullsisë së qenve në territorin e Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë kohëve të fundit një valë e re zemërimi është përhapur nëpër rrjetet sociale, ku shquhet edhe mungesa e ndjesisë ndaj kafshëve si dhe ndaj të drejtave të tyre. Natyrisht situata me qentë endacakë nuk është e lakmueshme, dhe sipas aktivistëve për të drejtat e kafshëve kjo vjen si rezultat i mungesës së kuptimit për natyrën e qenve dhe mënyrën e duhur të trajtimit të tyre, ndërkohë që niveli i paragjykimeve dhe keqkuptimeve është i lartë, pasi që këto kafshë konsiderohen vetëm si të rrezikshme dhe që sjellin sëmundje, duke harruar faktin se qentë janë afër njeriut për shumë shekuj me radhë.
Në këtë situatë, aktivistët nga radhët e shoqërisë civile shpesh herë kanë ofruar alternativa rreth mënyrës së duhur të trajtimit të çështjes së qenve endacakë, duke ndërmarrë edhe fushata të ndryshme ndërgjegjësuese me qëllim të informimit të drejtë të publikut për mënyrën e duhur të trajtimit të qenve endacakë.
Madje në shtator të vitit të kaluar Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka paraqitur tek institucionet propozimin për Strategji kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve endacak, përmes masave humane, efektive dhe të qëndrueshme. Në këtë kuadër, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka vënë në pah një gamë të masave që duhet të merren parasysh për t’u realizuar një program i suksesshëm dhe efektiv i menaxhimit të popullsisë së qenve endacak në Kosovë, si:
-Identifikimi dhe regjistrimi i qenve si kafshë shoqëruese në tërë Republikën e Kosovës
-Edukimi në shkolla dhe vetëdijesimi i shoqërisë
-Kontrolli i rreptë i mbarështimit dhe shitjes së qenve
-Subvencionimi i kastrimit dhe sterilizimit të qenve me pronar
-Kontrolli i vazhdueshëm i riprodhimit të qenve në rrugë përmes metodës KSVL
-Qendrat për Trajtim të Përkohshëm (QTP) dhe qendrat e shpëtimit
-Prezantimi i ‘kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake’
-Kontrolli i qasjes në resurse
Përmes këtyre masave, dhe masave të tjera si implementimi dhe përmirësimi i legjislacionit për mbrojtje të kafshëve, Fondacioni konsideron se do të arrihet të reduktohet numri i qenve endacak deri në minimum, me kusht që të ketë angazhim dhe koordinim ndër-institucional për të shtyrë përpara proceset e masave të propozuara në strategji.
Ndërkaq në fillim të këtij viti, është mbajtur tryeza për diskutimin e Strategjisë Kombëtare për Trajtimin e Qenve Endacakë. Kryeministri Albin Kurti në këtë tryezë pati theksuar se prania e madhe e qenve endacakë, është problem për vetë qentë dhe mirëqenien e tyre, por është po ashtu është kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve dhe të shëndetit publik në përgjithësi. Ai ka përkujtuar se në veçanti fëmijët janë të rrezikuar dhe se shkelja e të drejtave të fëmijëve nga sulmet e pësuara nga qentë endacakë është konstatuar nga Avokati i Popullit. “Fatkeqësisht, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar dhe nuk ka pasur koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror. Ne duhet të trajtojmë këtë problem nga rrënjët e tij, për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive. Besojmë që zanafilla e problemit është te mos menaxhimi dhe kontrolli i qenve me pronarë, mbarështimi i pakontrolluar i tyre, si dhe shitja dhe importi nga vendet fqinje”, ka thënë ai. Sipas tij, niveli qendror do të mbështesë nivelin lokal në mënyra të ndryshme rreth trajtimit të qenve endacakë, derisa ka shtuar se edhe AUV duhet të zotohet që në projektet e menaxhimit të popullsisë së qenve, të mos përfshijë veterinerë që është dëshmuar që kanë abuzuar me kafshë dhe fonde në projektet e kaluara. Njëherësh është zotuar se Qeveria do të hartojë një Strategji Kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve.
Në anën tjetër liderët komunalë, si kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në javët e fundit kanë pranuar se bëhet fjalë për një problem shumë kompleks dhe se në këtë drejtim janë ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) si dhe hapjes së një numri të pikave ushqyese, me qëllim të parandalimit të sulmeve ndaj njerëzve. Krahas kësaj ai ka kërkuar bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe komunat e tjera.
Sipas vlerësimeve të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë, burimi i problemit, asnjëherë nuk është trajtuar, andaj edhe vazhdimisht ka numër të madh të qenve në rrugë. Burimet kryesore të numrit të madh të qenve në rrugë sipas fondacionit janë braktisja e vazhdueshme e qenve të shtëpisë (si kafshë shoqëruese) nga njerëzit dhe mbarështimi (kultivimi), shitja dhe importi i qenve në mënyrë të pa kontrolluar nga njerëz fizik dhe juridik (përfshirë edhe veterinerë).
Prandaj bashkëpunimi ndër-institucional dhe ndër-sektorial është i domosdoshëm për trajtimin e çështjes së qenve endacakë, duke marrë për bazë edhe kontributin e shoqërisë civile dhe dashamirëve të kafshëve, drejt aplikimit të metodave humane dhe të qëndrueshme për menaxhimin e çështjes së qenve endacakë dhe kontrollit të popullsisë së këtyre qenve në territorin e Republikës së Kosovës.
Zgjidhje të shpejta dhe magjike nuk ka. Por me masa humane e të menduara e të strukturuara mirë si dhe me më shumë dashuri e mirëkuptim ndaj kafshëve mund të iniciohet një proces, që për disa vite mund të sjellë rezultate të mira si për komunitetin ashtu edhe për mirëqenien e kafshëve.