Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPRZH) në bashkëpunim me GIZ-in në Kosovë ka zhvilluar sesionet informative për Skemën e Granteve 2024-2027, raporton Ekonomia Online.
Sot në komunën e Gjakovës janë prezantuar Skema e Granteve për mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në zonat rurale nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve.
Në këtë sesion janë prezantuar shkallët e mbështetjes dhe nën sektorët.
Skema e granteve është rezultat i një partneriteti midis Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), dhe Qeverisë Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Lulzim Shamolli ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural, tha se shuma totale e këtij projekti është 20 milionë eurove. Ai tregoi edhe shumën që mund të përfitojnë fermerët, ndërsa qëllimi sipas tij është ndihmesa për fermerët në zonat rurale.
“Këtu kemi të bëjmë me një skemë të granteve që realizohet me bashkëfinancim ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe GIZ-it. Totali i mbështetjes është 20 milionë e 200 mijë euro. Do të thotë mbështetja është 50 për qind e ministrisë dhe 50 të tjera të GIZ-it. Qëllimi i këtij granti është me i ndihmuar zonat rurale, më konkretisht aktivitet që zhvillohet në zonat rurale, këtu kemi bërë një ndarje sipas llotëve”.
“Zakonisht tek loti i parë, fokusi do të jetë tek fermerët e vegjël deri në 5 mijë euro, kurse niveli i mbështetjes është 100 për qind nuk ka bashkëfinancim. Tek loti i dytë ka me qenë tek fermerët e mesëm dhe niveli i mbështetjes është 50 mijë euro dhe këtu do të ketë bashkëfinancim do të ketë 75 për qind mbështetje nga GIZ-i dhe ministra dhe 25 për qind do të jetë nga ju (fermerë), ndërsa loti i tretë fokusi është tek fermerët e mëdhenj dhe vlera e mbështetjes shkon deri në 350 mijë euro”, theksoi Shamolli.
Fermeri Ismet Isufi, kërkoi të di më shumë detaje rreth procedurave të aplikimit. Fillimisht, pyeti nëse do të asistohet nga dikush gjatë aplikimit për grant.
“Si është e rregulluar puna e aplikimit, normal disa fermer kanë përvoja disa më të vogla dhe kanë nevojë për asistencë, si do të dizajnohet dhe të ketë këshilla para përgatitje dhe aplikimi të mos hupin kohë. Gjatë implementimin a keni përgatitur faza që ato projekte të jenë kualitative. Si e keni planifikuar dhënien e këshillave konsulentëve në dy aspekte para aplikimit dhe pas aplikimit pesë vjeçar”, ka thënë Isufi.
Shamolli ka njoftuar se procedurat janë të njëjta siç kanë qenë më herët, dhe sipas tij, nuk ka ndonjë dallim që nga përgatitja e aplikimit e deri tek kriteret e saj.
Kurse fermeri, Bajram Morina, tha se kërkesa e tij që ta ketë një serre, pasi aktualisht i posedon katër hektarë me perime.
“Bujqësia nuk është e rëndë edhe pse jam me aftësi të kufizuar, kam katër hektar me perime dhe kam pasur dëshirë për ndonjë serrë shpresoj që të mbështet edhe kjo”, ka theksuar Morina.