Arsyeja që kryeministri Kurti i ka ftuar partitë opozitare për takim, jam i bindur që nuk ka të bëjë me marrëveshjen “historike” për lëvizje të lirë, që më në fund, sipas tij, po prodhon reciprocitet ndërshtetëror.
Por, gjykoj se kjo ftesë ka të bëje më shumë me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë SHBA-ve, për kompromise të reja që po i kërkohen Kosovës për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Pra se çfarë qëndrimi duhet mbajtur në raport me këto tema? Dhe siç po bëhet gjithnjë e më e qartë, tema e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, është nyja gordiane e këtij procesi.
Prandaj, partitë opozitare duhet të shkojnë në këtë takim dhe ta mbrojnë para kryeministrit dhe qytetarëve të Kosovës atë marrëveshje se ka qenë interes shtetëror i saj, kur e kanë nënshkruar.
Ose nëse nuk shkojnë të kenë guxim politik dhe të deklarohen hapur sa janë kundër këtij entiteti. Se në fund të fundit e përkrahin dhe anulimin e kësaj marrëveshje që dikur e kanë nënshkruar vet. Si dhe janë në gjendje t’i mbartin të gjjtha pasojat politike ndërkombëtare që mund të dalin nga ky akt për shtetin e Kosovës.
Por, deklarimi se jemi për marrëveshje përfundimtare me Serbinë në thelb të cilit qëndron njohja reciproke, prandaj nuk kemi çka takohemi deri sa të vjen ajo ditë, dhe në anën tjetër heshtja e patatës së nxehtë që lidhet me këtë temë, është lojë jo e sinqertë dhe reagim cinik politik. Qëndrim ky që në esencë krijon konfuzion dhe nuk shkon në favor të interesave të Kosovës. Sepse vetëm e prolongon këtë rreth vicioz ku jemi futur tash e sa kohë, me faj edhe të kryeministrit Kurti.
Por tash jemi ku jemi. Kësaj çështje duhet t’i japim një epilog. Skena politike duhet të përcaktohet qartë se cfarë qëndrimi donë të ndjek raport me këtë çështje. Në fund të fundit, marrëveshja për themelimin e kësaj bashkësie u nënshkrua nga ata që sot janë në opozitë. Dhe ky entitet nuk mund të themelohet pa konsesus politik.
Opozita mund edhe të mos bëhet pjesë e këtij procesi. Të përdor argumente nga e kaluara se si kryeministri sa ishte në opozitë e kishte penguar dialogun për normalizmin e raporteve me Serbinë. Apo të kalkulojë se duke e lënë vetëm kryeministrin për ta themeluar këtë entitet mund ta shfrytëzoj rastin që ta përdor nesër këtë kauzë për përfitime politike. Por, më këtë qëndrim ajo nuk do të fitojë asgjë. Kurti mund të rrëzohet nga pushteti. Dhe të rikthehen ata që sot janë opozitë. Por kjo temë do të jetë përsëri në tavolinën e negociatave. Sepse nuk ka shpëtim nga ky obligim ndërkombëtar. Ka vetëm vonim. Dhe nëse këtë barrë sot nuk mund ta tejkalojë kryeministri aktual aq më pak do të kenë mundësi ta bëjnë ata që janë në opozitë aktualisht. Në fund të fundit, nëse këtë temë sa ishte në pushtet nuk ia doli ta përmbyll Hashim Thaci, si do të kenë mundësi ta bëjnë trashëgimtarët e tij politikë? Sepse, kjo temë nuk kalon pa konsesus nacional. E nëse nuk e ndërtojmë këtë konsesnus, ne do vazhdojmë të sillemi brenda këtij rrethi të mbyllur, kurse Serbia të merr gjithnjë me shumë përkrahje ndërkombëtare.
Po e përsëris opozita ka të drejtë ta refuzojë këtë konsesus. Madje, edhe të ndërrojë qëndrim. Të deklarohet se ka qenë gabim që e ka pranuar një marrëveshje të tillë në atë kohë. Nuk i ka analizuar mirë pasojat që mund të lindin nga ai pajtim. Dhe se tash është kundër saj. Ajo nuk e përkrah themelimin e Asociacionit. Si dhe do ta kundërshtojë me të gjitha mjetet këtë entitet. Por jo në këtë mënyrë. Që në njërën anë të thuhet se jemi për marrëveshje përfundimtare me Serbinë në thelb të së cilës është njohja reciproke dhe në anën tjetër duke e refuzuar përcaktimin se çka duhet të bëhet me Asociacionin. Sepse në rethanat aktuale ndërkombëtare me këtë qëndrim dual do të thotë të jesh edhe kundër kësaj marrëveshje dhe kërkesës decisive të ShBA-së, se si duhet të shkohet deri te ajo pikë.