Bashkimi ka shënuar fitore të madhe sonte në “Sezai Surroi” ndaj Trepçës. Dueli ka qenë tejet luftarak përgjatë gjithë ndeshjes, ndërsa basketbollistët kanë luftuar për çdo top në fushë përgjatë 40 minutave lojë.
Bashkimi në fund triumfoi për të shënuar fitoren e 14 të stinorit, ndërsa Trepça pësoi për herë të shtatë këtë stinor.
19-18, 16-14 dhe 24-21 ishin rezultatet e tre çerekëve të parë të ndeshjes, derisa krejt në fund Bashkimi avancoi në 10 pikë për të hyrë në minutën e fundit të ndeshjes pak më relaksuar me fitore në duar, për përfundimtaren 79-70.
Justin Black me 23 pikë e 8 asistime ka qenë më efikasi te Bashkimi. Kayel Locke ndihmoi me 17 pikë e 6 kërcime në fitore.
Jeremy Wise te Trepça qe më efikasi me 27 pikë, 8 kërcime e 4 asistime. Ndërsa pas tij, Burim Zekiqi ka qenë i renditur me 11 pikë të shënuara.