Kampioni në fuqi, Bashkimi, ka fituar derbin e fundit të stinorit të rregullt, dhe kështu në plejof do të hyjë me vetëbesim më të madh. Të dielën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Bashkimi e mposhti Trepçën vendëse me shifrat 81:77.
Ishte kjo kryendeshja e xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës në basketboll, të fundit të pjesës së rregullt të garave. Menjëherë të martën nis plejofi me ndeshjet e fazës së parë, përkatësisht çerekfinales, shkruan sot “Koha Ditore”. Në çerekfinale Bashkimi takohet pikërisht me Trepçën, ndërsa Rahoveci me Ponte Prizrenin.
Rahoveci e ka mbyllur stinorin e rregullt në vend të tretë dhe do të ketë përparësinë e terrenit vendës në ndeshjen e tretë eventuale ndaj Ponte Prizrenit, që në plejof kalon nga vendi i gjashtë. Edhe Bashkimi i vendit të katërt ka përparësinë e terrenit në ndeshjen e tretë eventuale ndaj Trepçës së vendit të pestë.
Skuadrat që shënojnë nga dy fitore kalojnë në gjysmëfinale. Rahoveci të martën e pret Ponte Prizrenin, ndërsa në mesjavë luhet edhe ndeshja e parë Bashkimi – Trepça.