Ka filluar punimet konferenca dy ditore “Qytetet e Forta në Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”, e cila po mbahet në Pejë.
Aty u theksuar se vetëm bashkimi i forcave mund ta luftojë fenomenin negativ siç është ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi.
Në hapje të konferencës, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, theksoi se që nga dita e marrjes së mandatit të tij si ministër, i ka dhënë rëndësi të madhe luftimit të radikalizmit dhe dhunshëm dhe radikalizmit.
“Në Republikën e Kosovës tashmë janë nëntë qytete që janë pjesë e rrjetit të qyteteve të forta, që merren aktivisht me luftimin e kësaj dukurie. Roli i komunave dhe i shoqërisë civile në përgjithësi është shumë i madh në këtë aspekt, sepse nuk mjafton vetëm puna e Policisë së Kosovës në luftimin e kësaj dukurie”, tha ministri Hyseni.
Më këtë rast ministri Hyseni shprehi mirënjohje për ICITAP-in amerikan dhe misionin e OSBE-së për përkrahjen që i ka dhënë MPB-së në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, vuri në dukje se e përkrahë këtë iniciativë dhe se ekstremizmi dhe terrorizmi është pranishëm në çdo vend të globit.
Ambasadori Delawie theksoi se komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar se vetëm bashkimi i forcave mund ta luftojë këtë fenomen negativ.
Sipas tij, rrjeti “Qytetet e Forta Luftojnë Ekstremizmin e Dhunshëm në Kosovë” është shumë i rëndësishëm, unik dhe vital, për të zbuluar kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm. Liderët lokalë e kanë rolin e tyre në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ndërsa, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale dhe Kosova është pjesë e globit dhe nuk është problem vetëm i Kosovës.
Ai tha se kjo nuk është problem vetëm për rendin dhe ligjin, por është e të gjithë shoqërisë, andaj qytetarët dhe komuniteti duhet të angazhohen në parandalimin e kësaj dukurie. Për të luftuar këtë fenomen duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku dhe se ndarja e informatave është vitale në luftimin e kësaj dukurie.
Ndërsa, kryeimami i Bashkësisë Islame në Kosovë, Sabri Bajgora, theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës zotohet se do të jetë pengesë e fortë kundër çdo lloji të ekstremizmit fetar.
“Nuk ka fe të caktuar ose atdhe që është bazë e ekstremizmit fetar, por është fenomen global që na ka goditur edhe ne dhe bashkërisht duhet ta luftojmë”, tha Bajgora.
Kjo konferencë organizohet nga Strong Cities Network, ICITAP-i dhe OSBE-ja, i mbështetur nga Departamenti i Shtetit të ShBA-ve.