Bashkimi ka pasur momente dobësie në çerekun e katërt të ndeshjes ndaj Sigal Prishtinës.
Te skuadra prizrenase janë të vendosur që të mos i përsërisin ato në ndeshjen e dytë që luhet të mërkurën, shkruan sot “Koha Ditore”. Por edhe më shumë janë të vendosur që të mos bëjnë gabimin e vitit të kaluar kur ishin në epërsi 1:0 në serinë finale të plejofit dhe më pas nuk fituan titullin e kampionit të Kosovës në basketboll.
Bashkimi të shtunën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë fitoi ndaj Sigal Prishtinës me shifrat 84:81. Ishte kjo ndeshja e parë e serisë finale të plejofit të IP Superligës së Kosovës në basketboll.
Me këtë fitore Bashkimi ka bërë hapin e parë drejt titullit, ndërsa epërsia e terrenit vendas ka kaluar në anën e ekipit prizrenas. Ndeshja e dytë luhet të mërkurën në Prizren, ku do të luhet edhe ndeshja e katërt eventuale.