Bayern Munich e ka mundur bindshëm 4:0 Schalken – skuadrën e fundit në tabelë – për ta rritur në shtatë pikë epërsinë në krye të Bundesligës ndaj përcjellësit të parë RB Leipzig.
Kampioni në fuqi i Gjermanisë u fut në këtë takim i vetëdijshëm se do ta forconte edhe më shumë kreun e tabelës me fitore, pas humbjes së RB Leipzig kundër Mainz një ditë më herët, raporton Gazeta Express.
Joshua Kimmich shkëlqeu duke i përgatitur tri nga katër golat e fitores së skuadrës së Hansi Flick.
Mesfushori gjerman harkoi për mrekulli për golin e epërsisë së Bayernit, të cilin e shënoi Thomas Muller në minutën e 33-të.
Më pak se dhjetë minuta brenda pjesës së dytë dhe Kimmich e gjeti Robert Lewandowskin me një top të gjatë, sulmuesin polak i cili e dyfishoi epërsinë.
Schalke – e cila po kalon nëpër formë të tmerrshme këtë sezon pasi i ka humbur 13 prej 18 ndeshjeve deri tani – u dorëzua tërësisht në fund të takimit duke i pranuar dy gola të tjerë për brenda dy minutave.
Kimmich asistoi përsëri për Mullerin, i cili shënoi për 3:0 në minutën e 88-të. David Alaba shënoi më pas për 4:0 në minutën e 90-të, duke e mposhtur portierin e skuadrës vizitore nga rreth 35 metra.
Bayern i ka grumbulluar 42 pikë në vendin e parë, shtatë më shumë se Leipzig dhe 10 më shumë se Bayer Leverkusen dhe Wolfsburg, të cilat e mbyllin top katërshen në Bundesligë.
Schalke vijon të jetë e fundit në ligë me vetëm shtatë pikë, 10 sosh larg zonës së mbijetesës në elitë.