BB premton vazhdimin e projekteve për Bankën Qendrore

Prishtinë | 07 Nën 2016 | 18:32 | Nga

Guvernatori i Bedri Hamza ka pritur sot në takim Ellen Goldstein, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, dhe Marko Mantovanellin, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve aktuale ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe për vazhdimin e mbështetjes nga ana e BB-së për vendin tonë.

Fillimisht, Hamza e ka njoftuar znj. Goldstein për ceremoninë e sotme të zhvilluar me rastin e përurimit të Qendrës për Vazhdimësi të Punës në Prizren dhe ka falënderuar atë për mbështetjen që BB ka dhënë për ndërtimin e kësaj qendre të rëndësisë së veçantë.

Guvernatori, po ashtu e ka njoftuar znj. Goldstein për gjendjen aktuale në sektorin financiar të vendit e cila është vlerësuar stabile dhe e shëndoshë, sipas një njoftimi shtypi të BQK-së.

“Hamza dhe Goldstein shkëmbyen informacione mbi zhvillimet aktuale ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe u diskutua për mbështetjen shumëdimensionale që Banka Botërore vazhdon t’i japë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Republikës së Kosovës”.

Nga ana e saj, Ellen Goldstein i ka konfirmuar guvernatorit Hamza se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së dhe për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi. Ajo e ka çmuar lart bashkëpunimin me Bankën Qendrore dhe të gjitha të arriturat në projektet të cilat janë përkrahur nga asistenca teknike e Bankës Botërore. Ajo theksoi se suksesi i projekteve të zhvilluara në Kosovë merret si model për të dizajnuar projektet për vendet e tjera, duke e përgëzuar guvernatorin për punën që po bënë në zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së, theksohet në njoftimin e BQK-së.

Hamza dhe Goldstein u zotuan se BQK-ja dhe Banka Botërore nuk do përmbyllin bashkëpunimin me përfundimin e projektit të Qendrës së Vazhdimësisë, por që bashkëpunimin do ta zgjerojnë edhe më shumë në fushat tjera me projekte në të ardhmen.

Për kontributin e dhënë në punën e saj për zhvillimin e projektit të Qendrës së Vazhdimësisë së Punës, si dhe për mbështetjen e vazhduar të Bankës Botërore, Guvernatori Hamza i ka ndarë një mirënjohje falënderimi drejtoreshës Goldstein.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme