Tensionet mbeten të larta në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, ku gjatë natës u raportuan të shtëna me armë pranë pallatit presidencial, shkruan BBC.
Dje, Delcy Rodriguez u betua si presidente e përkohshme e Venezuelës, por situata e sigurisë mbetet ende e paqartë pasi SHBA-ja e arrestoi presidentin Nicolas Maduro dhe tha se do ta drejtojë vendin.
Disa video të publikuara në rrjetet sociale gjatë natës tregojnë burra të armatosur nëpër rrugë, ndërsa dëgjohen qartazi të shtëna me armë.
BBC thotë se ka verifikuar një video të xhiruar pranë Pallatit Miraflores, në të cilën dëgjohen të shtëna.
Një tjetër video është identifikuar në një shesh rreth 650 metra larg pallatit, në të cilën dëgjohet dikush që pyet në spanjisht: “Çfarë ndodhi?”.
Një burrë që duket se është zyrtar sigurie përgjigjet: “Dronë, dronë”.
Kjo sugjeron se të shtënat mund të kenë qenë reagim ndaj një shfaqjeje droni, megjithëse BBC thotë se nuk mund ta konfirmojnë në mënyrë të pavarur se ka qenë kështu.