Partia shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, që e bëri dje në Prishtinë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me gjuhët në këtë shtet, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka deklaruar se çështja e gjuhës i takon Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, pasi tri dispozita të Ligjit për Gjuhët janë dërguar në Komisionin e Venecias.
“Në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorim të gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston Ligji për përdorim të gjuhëve, që e përmend shifrën 20 për qind, por nuk është ligj për përdorim të gjuhë shqipe, është për përdorim të gjuhëve”, ka thënë Kurti.
BDI ka thënë se deklaratat e Kryeministrit Kurti nuk qëndrojnë dhe tha se është për keqardhje që këto deklarata “përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
“Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve”, tha BDI në reagim.
BDI ka publikuar edhe ligjin mbi këtë çështje.
“Në mënyrë specifike, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj””, ka shkruar BDI, ndërsa shtoi se “çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
BDI tha se për të sqaruar çdo keqinterpretim apo shpërndarje të informacionit të pasaktë, kanë shpërndarë përmbajtjen e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, partive politike dhe mediave në Kosovë.
“Ky veprim është bërë për të provuar me fakte se deklaratat e Kryeministrit Kurti nuk qëndrojnë dhe për të garantuar që publiku në Kosovë të jetë i informuar drejt. Është për keqardhje që një Kryeministri i Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sugjerimet se disa nene të ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm i japin alibi përpjekjeve për të dobësuar këtë legjislacion vital”.
BDI shtoi se “shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin këtë si një akt që shkon kundër interesave të tyre dhe si një zhgënjim i madh nga një politikan që duhej të ishte mbështetës i të drejtave të shqiptarëve kudo”.
Partia që kryesohet nga Ali Ahmeti i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të korrigjojë deklaratat.
“I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Pavarësisht divergjencave politike, ne besojmë se interesat kombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për qëllime politike apo për të justifikuar padrejtësitë. Ky moment duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit mes shqiptarëve, veçanërisht kur janë në rrezik arritjet tona historike. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të pranojnë kurrë asnjë hap prapa në të drejtat e tyre”.
Ditë më parë, Ahmeti kishte thënë se pret që në mbledhjen e së hënës të diskutohej edhe për Ligjin për Gjuhët, pasi Gjykata Kushtetuese maqedonase pritet ta rishikojë dhe “me gjasë ta shfuqizojë” nenin 9 të këtij ligji.