Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për qasje monoetnike dhe krijime të skandaleve.
“Qeveria monoetnike po avanson, nga një skandal në ditë, tashmë po bëhen nga disa skandale në ditë, 60 ditë qeverisje, 120 skandale”, thuhet në reagim.
BDI e ka konsideruar “të papranueshëm dhe të parealizueshëm propozimin e qeverisë monoetike që problemet me qytetin e Shkupit të zgjedhen në kurriz të shqiptarëve, edhe atë duke e ndaluar ndërtimin e bulevardit Hasan Prishtina në rrugën për Kosovë si dhe nyjen tek semaforët në rrugën “Slovenia”, që gjithashtu e lidh Çairin me rrugën për Kosovë”.
Tutje, në reagimin e BDI-së, thuhet se nën qeverisjen e re në Maqedoninë e Veriut, janë shtuar skandalet që po e dëmtojnë komunitetin shqiptar atje.
“Pas mohimit të flamurit kombëtar, “dellumno” edhe të himnit shqiptar, gjuhës shqipe, administratorëve, ndryshimeve kushtetuese, Marrëveshjes së Ohrit, legjitimitetit, fjalës së dhënë publikisht dhe nënshkrimit të deponuar, turpërimit para Kosovës dhe Shqipërisë, mohimit të Kosovës, sjelljes së putinistit Stoilkoviq në krye të drejtave tona, korridorit 8, i erdhi rradha edhe ndalimit të projektit jetik për ndërtimin e bulevardit Hasan Prishtina në rrugën për Kosovë”, thuhet në reagim.
Madje kanë akuzuar VLEN-in se kanë hyrë në Qeveri pa asnjë kusht e vetëm për t’u pasuruar në kurriz të popullit.
“A keni një grimcë dinjiteti? Për c’farë keni hyrë në qeveri pa legjitimitet, kur asnjë pikë e vetme e programit tuaj nuk është e përfshirë? Përgjigja është e qartë, për tu pasuruar në kurriz të popullit dhe për ti shërbyer VMROsë në politikat antishqiptare”, thuhet në reagim.