Në BE insistojnë se “askush nuk ka kërkuar nga Kosova dhe nga vende të tjera që vetë të mos i sigurojnë vaksinat në mënyrë individuale”, dhe kanë shtuar se “në fund të vaksinimit do të jetë shumë e qartë se askush nuk i ka ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor më shumë sesa ne”
Bashkimi Evropian ka hasur në probleme serioze me prodhuesit e vaksinave, të cilët kanë nisur ta vonojnë distribuimin e tyre duke shkelur edhe planin e caktuar me marrëveshje. Madje, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, ka paralajmëruar edhe “masa përkatëse ligjore” kundër këtyre prodhuese. Ai ka thënë se në konferencën e fundit të liderëve të vendeve të BE-së është kërkuar që të bëhet presion ndaj kompanive që t’iu përmbahen obligimeve për shpërndarjen e vaksinave ashtu siç caktohet me marrëveshje.
Deri më tash në BE janë dhënë lejet për përdorimin e vetëm dy vaksinave, asaj nga “BioNTech/Pfizer” dhe asaj nga kompania “Moderna”. Deri në fund të kësaj jave pritet që Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA) të jep autorizimin edhe për vaksinën e Universitetit të Oxfordit të prodhuar nga kompania “AstraZenecca”.
“Pfizer” ka bërë të ditur se në javën në vijim do të shpërndajë një sasi më të vogël të vaksinave, por se kjo do të kompensohet në muajt shkurt dhe mars, kur pritet të rriten kapacitetet prodhuese.
Edhe “Astra Zeneca” ka paralajmëruar ende pa marrë autorizimit se do të shpërndajë më pak vaksina sesa që ishte planifikuar.
Kjo ka bërë që BE-ja të jetë tash skeptike se mund ta arrijë qëllimin e vaksinimit të së paku 70 për qind të qytetarëve të moshës madhore deri në fillim të verës.
“Nëse e shihni planin e shpërndarjes së vaksinave do të shihni se arritja e këtij qëllimi është e mundshme”, ka thënë të premten e shkuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur pas samitit virtual të BE-së.
Por, të dielën, Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, ka pranuar se arritja e këtij qëllimi është “shumë e vështirë” pas paralajmërimeve për vonesa në shpërndarjen e vaksinave nga ana e prodhuesve.
Në kohën kur BE-ja ka probleme serioze me sigurimin e vaksinave për vete, gjëja e fundit që mund t’u shkojë në mend është se si të sigurojnë vaksina edhe për vendet e Ballkanit, të cilat BE-ja i kishte premtuar. Por, në BE thonë se “nuk mendojmë vetëm për vete, por edhe për fqinjët tanë, dhe jemi duke punuar që sa më parë të japim si donacion edhe dozat e para për vendet e Ballkanit”.
Të hënën në Bruksel për ndarjen e vaksinave me vendet e Ballkanit dhe ato të “fqinjësisë lindore” do të diskutojnë edhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare.
Në BE insistojnë se “askush nuk ka kërkuar nga Kosova dhe nga vende të tjera që vetë të mos i sigurojnë vaksinat në mënyrë individuale” dhe kanë shtuar se “në fund të vaksinimit do të jetë shumë e qartë se askush nuk i ka ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor më shumë se ne”.
“Ne nuk duam të bëjmë diplomaci me vaksina. Po tentojmë që sa më parë të sigurojmë dozat e para për grupet më të rrezikuara në Ballkan, si dhe për punëtorët në shëndetësi. Ne, si BE, kemi paguar edhe shumicën e vaksinave përmes nismës ‘Covax’. Për vendet e rajonit kemi dhënë edhe 70 milionë euro, nga të cilat po ashtu do të paguhen vaksinat. Me rëndësi është se kur do të përfundojë procesi i vaksinimit, e jo kur do të nisë. E kur të përfundojë vaksinimi do të shihet se askush nuk ka ndihmuar më shumë se ne. Por, nuk duam të lavdërohemi shumë në publik, sepse interesi ynë është shëndeti i qytetarëve”, ka thënë një zyrtarë i BE-së.
Në BE ekziston një irritim i madh, sidomos me deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në njërën anë e ka kritikuar BE-në për egoizëm, e në anën tjetër ka thënë se dozat e para të vaksinave i ka siguruar nga një vend mik i BE-së.
“Nuk është korrekte ajo që thotë zoti Rama. Ne kemi mundur të bëjmë fushatë propagandisitike me 200 a 600 doza vaksinash, por nuk është ai qëllimi. Procedurat janë pak më të komplikuara dhe as për vendet tona nuk ka shkuar gjithçka sipas planit. Por nuk i kemi harruar as vendet e Ballkanit, të cilat do t’i ndihmojmë”, ka thënë një burim i BE-së.
Në BE kështu i hedhin poshtë pohimet se “i kanë mashtruar vendet e Ballkanit duke u thënë se do t’ua sigurojnë vaksinat menjëherë” dhe se “vetëm Serbia, e cila nuk ka llogaritur në BE-në, ka siguruar vaksinimin e qytetarëve të saj sipas një ritmi më të shpejtë”.
“Edhe po të donim, ne nuk do të mund t’i detyronim vendet e Ballkanit që të na presin ne e të mos sigurojnë vaksina për vete. Shëndetësia është kompetencë e secilës qeveri për qytetarët e saj. Ajo që ne kemi ofruar është ndihmë e jo që t’ia ndalojmë, për shembull Kosovës, që për vete të sigurojë vaksinat”, ka thënë ky burim.
BE-ja, po ashtu, pohon se në masë të madhe i ka ndihmuar edhe vendet e rajonit që të përgatiten për vaksinim, përfshirë edhe me logjistikë e cila ka munguar deri tash në disa vende.
Jozyrtarisht mësohet se dozat e para do të mund të vijnë sapo në BE të vaksinohen kategoritë e para, e ato janë njerëzit mbi moshën 80 vjeçe dhe punëtorët në shëndetësi. Një gjë e tillë nuk është larg, përkundër disa vonesave. Po ashtu, në BE sqarojnë se “donacionet” do të vijnë nga sasia e caktuar për vendet anëtare të BE-së, por vendet e rajonit të cilat do të marrin vaksina në mënyrë të tillë duhet të kenë edhe një marrëveshje për distribuim me prodhuesit. Kjo, për shkak të përgjegjësisë që duhet të mbajë prodhuesi për kualitetin e vaksinave dhe për pasojat eventuale.
Parashihet që sasia e parë e vaksinave që do të jepet si donacion për vendet e rajonit të jetë në mënyrë anonime. Kjo, për shkak se në disa vende të BE-së qytetarët mund të jenë kritikë pse po dërgohen vaksinat jashtë kur nuk janë vaksinuar të gjithë qytetarët vendorë.