Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon ta shpërfillë kërkesën e Borrellit që kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe ai i Leposaviqit të punojnë në lokacione tjera dhe jo në objektet komunale, ku janë duke punuar aktualisht. Përveç kësaj, në zyrën e Hetemit, të premten shkoi për vizitë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Kjo vizitë shkaktoi shumë tensione atje.
Të martën e javës së kaluar, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ia ka kthyer letrën kryeministrit Kurti për kushtet për masat e de-përshkallëzimit të situatës në Veri. Ai tha se Kurti nuk i ka adresuar të gjithë elementët kryesorë për t’u qetësuar situata në Veri.
Hapi i parë që e ka përmendur Borrell është që kryetarët e komunave veriore të punojnë “përkohësisht” nga lokacione tjera që nuk janë ndërtesa të komunës.
Ai përmendi që tash e sa kohë, me kërkesë të ndërkombëtarëve, kryetari i Zubin Potokut dhe ai i Zveçanit, që vijnë nga radhët e PDK-së, janë duke punuar nga zyret komunale. Njësoj si ta, Borrell beson të punojnë edhe i pari i Mitrovicës së Veriut dhe i Leposaviqit duke shtuar se ata janë pjesë e partisë që udhëheq Kurti.
“Si hap i parë, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës duhet të përkohësisht të punojnë nga lokacione tjera e që nuk janë ndërtesat e komunave. Kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit aktualisht e kanë përfillur kërkesën. Ne besojmë që edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë tuaj, të ndjekin këtë kërkesë”, thuhet në përgjigjen e Borrellit.
Kjo kërkesë është përsëritur disa herë, mirëpo Kurti, vazhdimisht, ka thënë që kryetarët duhet të punojnë në objekte të komunës për të kryer detyrat që u takojnë.
“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”, ka thënë ai.
Borrell gjithashtu ka përsëritur edhe kërkesën për zgjedhje të reja në katër komunat veriore. Në këtë pikë, janë pajtuar kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani. Kurti ka deklaruar se zgjedhjet në Veri duhet të shpallen pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit, ndërsa Osmani ka thënë se Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë në to.
Kryetarët e ngujuar
Të hënën e parë pas betimit (29 maj), Lulzim Hetemi, në orën 06:00 të mëngjesit ka hyrë në objektin e komunës së Leposaviqit, ku parashihet ta kryejë detyrën e tij si kryetar. Mirëpo që nga ajo ditë, Hetemi nuk e ka lëshuar zyrën e kryetarit.
Objekti është i rrethuar nga forcat amerikane të KFOR’it ndërsa situata tani është shtensionuar.
Por, për sigurinë e Hetemit, Kurti tha se do të kujdesen edhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës.
“Për shkak të grupeve kriminale, ekstremistëve të dhunshëm ne jemi të detyruar që ta kemi aty Njësinë Speciale e cila e mbron kryetarin tonë, kryetarin e Leposaviqit i cili do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim” ka thënë Kurti.
Ndërkaq, 60 orë pas ngujimit në objektin e komunës, Hetemi kishte folur për gjendjen e tij. Ai qëndrimin aty e kishte krahasuar me hotel.
“Kurr më mirë s’kam qenë. Mirë jam, edhe me shëndet jam mirë. Unë sonte muj me dalë, nesër muj me dalë, nuk e kam problem. Ta shohim situatën se si po zhvillohet jashtë e në Prishtinë e pastaj veprojmë”, ka treguar kryetari Hetemi.
“Po hamë bukë si në hotel. Policia na e sjellë, kur ndërrohen na e bjen ushqimin. Edhe me u la mirë, edhe banjo ka, të gjitha janë”, kishte thënë ai më 31 maj.
Të premten e kaluar, në zyrën e Hetemit, shkoi për vizitë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Pas vizitës së tij, protestuesit serbë me maska kanë sulmuar gazetarët, duke lënduar disa prej tyre.
Njëjtë si Hetemi, Klan Kosova ka raportuar se edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq është duke qëndruar në objekt të komunës në Lagje të Boshnjakëve. Ndërsa, në anën tjetër, dy kryetarët nga radhët e PDK-së, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan janë duke ushtruar detyrën e tyre nga zyret komunale në fshatëra.
Hetemi u bë viral ditë më parë kur në një fotografi të faqes “Mitrovica Sot”, ku tregohet për një bukuroshe nga Drenasi, Mejreme Hajdaraj që ka fituar në Egjipt kurorën “Miss Elite World 2023” shkroi “Rrespekt pèr Bukuroshen”.