Bashkimi Evropian ka dy kërkesa të qarta për Kuvendin dhe qeverinë e re. Zgjidheni presidentin dhe riniseni shpejt dialogun me Serbinë. Një zëdhënës i BE-së tha për Gazetën Express se e mirëpresin formimin e institucioneve, teksa presin që të punojnë me lidershipin e ri, me theks të veçantë në dialogun me Serbinë.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar, legjislatura e re zgjodhi edhe qeverinë e re me kryeministër Albin Kurtin.
Nga tri pozitat më të larta shtetërore, ka mbetur për t’u zgjedhur vetëm shefi i shtetit.
Nga Bashkimi Evropian e shohin si thelbësore që legjislatura e tetë të zgjedh presidentin e ri, edhe pse koalicioni fitues nuk i ka të sigurta votat e të gjithë deputetëve.
Një zëdhënës i BE-së tha për Gazetën Express se Kosovës i duhet stabilitet i nevojshëm, i cili sigurohet me zgjedhjen e presidentit.
“Ne e mirëpresim formimin e kuvendit të ri dhe të qeverisë së re dhe i urojmë Glauk Konjufcën dhe Albin Kurtin për zgjedhjen e tyre si kryetar i Kuvendit dhe kryeministër i Kosovës.Tani është jetike që kuvendi të zgjedhë presidentin e ri, duke ndihmuar që Kosovës t’i ofrohet siguria politike që i nevojitet”, tha ai.
Tutje, ky zëdhënës i Bashkimi Evropian tha se presin që qeveria e re të angazhohet shpejt në dialogun me Serbinë.
“Ne presim që të punojmë së bashku me udhëheqësinë dhe institucionet e reja për t’i avancuar marrëdhëniet BE – Kosovë. BE-ja qëndron e gatshme për ta vazhduar përkrahjen ndaj Kosovës për adresimin e sfidave të Covid-19 dhe çuarjen përpara të reformave që ndërlidhen me BE-në. Ne gjithashtu presim që qeveria e re të angazhohet shpejt në dialogun me Beogradin, të lehtësuar nga BE-ja”, duke shtuar se për takimin e ri të palëve do të njoftojnë në kohën e duhur.
Kurse sot, zyrtarë të lartë të BE-së, përfshirë Shefin e Politikës së Jashtme, Josep Borell, Emisarin Special të BE-së, Miroslav Lajçak dhe Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi kanë uruar Kurtin për postin e kryeministrit duke ia përkujtuar që dialogu me Serbinë është çështje kyçe.
Megjithatë, shefi i ri i qeverisë, dialogun me Serbinë nuk e ka vënë në top tri prioritetet e tij me arsyetimin se qytetarët kanë treguar në sondazhe se çështja e dialogut me Serbinë për ta është në vendin e 6-të apo të 7-të të prioriteteve.
Edhe amerikanët presin angazhimin e Albin Kurtit në dialog, këtë e ka thënë para disa ditëve edhe i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer.
Diplomati amerikan u shpreh se bota pret nga Kurti që të punojë edhe në politikën e jashtme, në veçanti në dialogun me Serbinë.
Në anën tjetër, diplomatit sllovak Miroslav Lajçak, i skadon mandati një vjeçar si Emisar Special për dialogun Kosovë-Sebinë në muajin prill, e që me shumë gjasë atij do t’i vazhdohet ky mandat.