Një aeroplan i ngarkuar me 800 mijë maska dhe pajisje të tjera mjekësore nga BE-ja ka arritur të shtunën në Aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd.
Sipas Ministrisë për Integrime Evropiane, Brukseli ka financuar prokurimin dhe transportimin e tyre me aeroplan për në Serbi, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.
Kjo dërgesë është bërë si pjesë e planit të përgjithshëm për ndihmë ndaj Serbisë në luftën kundër koronavirusit.
“Një falënderim i madh për tërë Bashkimin Evropian”, tha kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, pas pranimit të këtyre ndihmave.
Më 8 prill, Bashkimi Evropian i ndau 15.6 miliardë euro për ta luftuar pandeminë. Për Serbinë i ndau 93 milionë euro si ndihmë për pasojat shëndetësore, ekonomike dhe sociale të koronavirusit.
Sam Fabriq, udhëheqës i delegacionit të BE-së në Serbi, paralajmëroi se në këtë shtet do të arrijnë edhe pajisje të tjera gjatë ditëve të ardhshme. “Bashkimi Evropian po vazhdon ta ndihmojë Serbinë në këtë kohë të vështirë”, tha ai.
Serbisë i është premtuar ndihmë edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë përmes dhurimit të respiratorëve, ndërsa ndihma për këtë shtet tashmë kanë ofruar, Turqia, Rusia dhe Kina.