Bashkimi Evropian ka përsëritur sërish kërkesën për rifillimin e shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi.
Nga Brukseli është thënë se qeveria dhe autoritetet e reja duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, në mënyrë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se BE-ja ishte shumë e qartë në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme, Borrell, dhe nga komisionari Varhelyi.
Por, sipas Arbër Fetahut nga Grupi për Studime Juridike e Politike, Qeveria e re duhet t’u qaset me seriozitetin e duhur çështjeve të rëndësishme të politikës së jashtme.
Arton Demhasaj nga organizata “ÇOHU” thotë se Qeveria Kurti e ka të pashmangshme të merret me dialogun.
Ai shprehet se për vazhdimin e dialogut ndaj Kurtit do të ketë presione nga Bashkimi Evropian dhe Washingtoni.
Ai ka deklaruar se edhe marrëveshja e Washingtonit s’mund të pengohet.
Por Lideri i Vetëvendosjes, partisë që ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, Albin Kurti, ka thënë se dialogu nuk do të jetë prioritet i qeverisë së tij.
E Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, nuk është i interesuar për dialog me Beogradin, më shumë sesa me serbët në Kosovë.
Ai ka tërhequr vërejtjen se interesat e serbëve në Kosovë nuk mund t’i përfaqësojnë ata që kanë dy për qind të votave, por ata që kanë 95%.
Duke folur për mundësinë që të rritet presioni pas paralajmërimit se Washingtoni do të prezantojë një platformë të re të dialogut, Vuçiqi ka thënë se Serbia e di se cilat janë interesat e saj kombëtare dhe shtetërore.