Zyra e Bashkimit Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë lansuar fushatën “Ndale urrejtjen. Shpërndaje dashurinë”. Këtu u theksua se duhet angazhim më i madh institucional për të parandaluar gjuhën e urrejtjes, e sidomos në rrjete sociale, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog , tha se Bashkimi Evropian është duke punuar intensivisht që t’i përgjigjet gjuhës së urrejtjes.
“Urrejtja ndikon në të drejtat e njeriut. Çështjet që duhet të adresohen janë të shumta. BE është duke punuar që të përgjigjet ndaj gjuhës së urrejtjes për barazi gjinore. Raste të gjuhës së urrejtjes online pak përdoren nga gjykata duke përfshirë rolin e këtyre njerëzve”.
Kryeministri i vendit Albin Kurti tha se Qeveria është e angazhuar për përmirësimin e mirëqenies të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
“Fushata të tilla janë të nevojshme për një shoqëri të barabartë. Komunikime e ndërveprime njerëzore nuk janë më pak të rëndësishme. Virusi na ka bërë të mendojë gjithë jetesën. Të gjithë njerëzit lindin të lirë e barabartë. Qeveria është e angazhuar për mirëqenie të gjithë qytetarëve pa dallim moshe e gjinie. Jemi zotuar të punojmë për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Dje miratuam programin për promovimin e të drejtave të njeriut. Po angazhohemi të zbatojmë masat që parasheh konventa për parandalimin e dhunës ndaj grave në familje”.
Verena Taylor nga Këshilli i Evropës tha se është e rëndësishme që të adresohet kjo çështje, për t’i hapur rrugë jetesës në harmoni.
“Gjuha e urrejtjes është kërcënuese që paraqet paragjykim ndaj grupeve të caktuara. Fushata blloko urrejtjen Këshilli i Evropës është duke udhëhequr me partnerë të tjerë. Kryeministri është shumë me rëndësi që jeni këtu mendoj që ndoshta do të jemi në gjendje të jemi më të hapur të njohim njëri tjetrin”.
Ndërsa, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se teknologjia u ka mundësuar shumë personave që të abuzojnë me lirinë e shprehjes.
“Ndihem i nderuar t’i bashkohem fushatës blloko urrejtjen për të respektuar të drejtat e individëve. Mundësia për të shprehur mendimin paraqet themelet e një shoqërie demokratike. Sot interneti ka ndryshuar rrënjësisht jetën tonë. Fjalën dhe mendimin tonë mund ta shprehim lirshëm. Kjo nuk e mundëson vetëm shkëmbimin e ideve por ka mundësuar edhe keqpërdorimin duhet abuzuar me lirinë e shprehjes”.